Helikopterët Rusë do të Riparohen në Serbi

 

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë  Bratislav Gasic, dhe zëvendësdrejtori i Shërbimit të Rusisë për Bashkëpunim Teknik Ushtarak Andrei Markov, nënshkruan një marrëveshje të martën për të krijuar një qendër rajonale në Beograd për riparimin dhe mirëmbajtjen e helikopterëve të prodhimit rus.

Gjithsesi, analistët në Beograd janë të ndarë mbi atë nëse qendra do të sjellë përfitime ekonomike për Serbinë apo thjesht është një përpjekje nga Moska për të rritur ndikimin e saj politik mbi Beogradin.

Aleksandar Radic, një ekspert në çështjet ushtarake, i tha BIRN se ai beson se marrëveshja është një shembull i rrallë i një projekti ushtarak mes Rusisë dhe Serbisë që krijon njëkohësisht përfitime ekonomike për të dyja palët dhe nuk është thjesht një projekt politik.

“Kjo [marrëveshje] është racionale dhe ka bazë të fortë ekonomike, ndryshe nga shumë lajme të tjera që flasin për blerjen e armëve të prodhimit rus,” tha Radic.

Ai shtoi se qendra ka gjasa që do të vendoset në institutin e riparimeve Moma Stanojlovic në Batajnica pranë Beogradit.

Helikopterët e prodhimit rus përdoren në Çeki, Poloni, Sllovaki dhe Hungari si dhe në disa vende të Ballkanit, përfshirë Kroacinë, Bosnjën dhe MAqedoninë. Aktualisht, qendra kryesore për riparime dhe mirëmbajtje të helikopterëve rusë gjendet në Ukrainë.

Gjithsesi, jo të gjithë besojnë se marrëveshja do të sjellë përfitime ekonomike për Serbinë apo që ajo nuk përmban qëllime politike.

Jelena Milic, drejtoreqë e Qendrës së Beogradit për Studime Euro-Atlantike, CEAS, i tha BIRN se ajo nuk arrin të shohë përfitime ekonomike realiste për Serbinë dhe për rrjedhojë, e sheh projektin si përpjekja e radhës e Rusisë për të forcuar ndikimin e vet politik mbi Serbinë.

“Nuk ka treg për të justifikuar një investim të tillë dhe kjo është thjeshtë një degë tjetër e shërbimeve sekrete ruse,” tha Milic.

Milic shtoi se BE-ja dhe NATO janë duke zhvilluar kapacitetet e veta për përmirësimet dhe riparimet e helikopterëve të prodhimit rus që janë aktualisht në përdorim.

Kryeministri i Serbisë 0Aleksandar Vucic njoftoi tetorin e kaluar se Serbia do të bëhet qendra rajonale e shërbimeve për helikopterët e prodhimit rus, diçka që ai e konsideroi si një mundësi për krijimin e vendeve të punës në një kohë me vështirësi ekonomike.

“Ne do të kërkojmë për më shumë ekspertë dhe ndoshta do të punësojmë shumë njerëz në Serbi,” tha Vucic duke shtuar se Serbia supozohet se do të rrëmbejë punën për riparimin e helikopterëve që aktualisht kryhet në Poloni dhe Çeki.

Gjithsesi, mbetet e paqartë nëse vendet e tjera të Ballkanit do ta përdorin qendrën e re në Serbi.

Maqedonia ka një flotë helikopterësh të përbërë kryesisht nga modelet sovjetike dhe ruse MI-8 dhe MI-17 si dhe helikopterë lufte MI-24.

Një burim nga Ministria e Mbrojtjes e Maqedonisë i tha BIRN në konfidencialitet se Maqedonia mund të jetë në parim e interesuar në shërbimet e kësaj qendre rajonale, por vetëm në rast se shërbimet e saj janë më të lira se sa dërgimi i helikopterëve në qendra të largëta.”

Maqedonia ka pësuar një numër aksidentesh të rënda me helikopterët gjatë viteve të fundit. Tetë vjet më parë, 11 ushtarë u vranë nga rrëzimi i një helikopteri MI-8.

Policia e Maqedonisë po përdor aktualisht versione më të reja të helikopterëve MI-17, por njëri prej tyre u rrëzua në vitin 2014 duke vrarë katër vetë.

Nënshkrimi i protokolleve për krijimin e qendrës së mirëmbajtjes në Beograd është gjithsesi vetëm hapi i parë dhe publikisht nuk dihen shumë gjëra.

“Kjo është vetëm nisja. Ne do të duhet të shohim se çfarë do të bëjnë rusët dhe çfarë pjese [të fitimeve] do të marrin,” tha Radic.