Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit. Foto: Kallxo.com

Havolli: Luftimi i Korrupsionit Sfidues për Ne

Shaip Havolli, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit në publikim e raportit foli edhe për luftimin e korrupsionit në Kosovë si kusht për liberalizimin e vizave.

“Duhet të punojmë fuqishëm pasi që kushti për luftimin e korrupsionit do të jetë sfidues për ne. Ka lëvizje pozitive në këtë drejtim, por prapë është e vështirë”, tha Havolli.

Havolli më tutje paraqiti rastet të cilat janë trajtuar nga Agjencia Kundër Korrupsion gjatë vitit 2017.

“Gjatë vitit 2017 gjithsej kemi pasur në trajtim 357 raste si për hetim të prokurimit, raste të konfliktit të interesit, raste për deklarimin e pasurisë. 45 rate i kemi pasur nga vitit paraprak, ndërsa 312 raste të vitit 2017”, tha Havolli.

Havolli tha se Agjencia Kundër Korrupsionit ka ushtruar kallëzime penale në 89 raste dhe 109 raste së bashku me kallëzimet penale i ka dërguar në prokurori, polici dhe institucione të tjera.

Drejtori tutje tha se 18 raste të Agjencisë Kundër Korrupsion janë dërguar në organe kompetente për shqyrtimin e masave administrative.

“Në ato raste kur Agjencia gjatë trajtimit të rastit nuk ka pasur elemente të veprës penale, ka vërtetuar se ka shkelje të udhëzimeve të brendshme dhe të kodit të etikës dhe shumë shpejt pritet që institucionet të marrin masa ndaj këtyre zyrtarëve në mesin e të cilëve ka sekretar permanentë, drejtorë të agjencive të ndryshme dhe të institucioneve të tjera”, tha Havolli.

Ai tregoi se 92 raste janë mbyllur, 139 raste janë në procedurë të hetimeve dhe 35 raste të informatave anonime janë trajtuar nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Për deklarimin e pasurisë, Havolli tha se 6242 zyrtarë të lartë publikë kanë  qenë të obliguar që të bëjnë deklarimin e pasurisë, 886 nga të cilët i janë nënshtruar kontrollit të plotë.

“Në 563 raste nuk janë vërejtur ndryshime, në 340 raste janë vërejtur ndryshime dhe janë kërkuar sqarime shtesë”, tha Havolli.

Sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsion,  11 institucione janë deklaruar se kanë pranuar dhurata, ndërsa 36 institucione tjera kanë deklaruar se nuk kanë pranuar dhurata.

“Institucionet të cilat kanë dorëzuar kopjet e katalogut të dhuratave gjatë këtij viti për vitin paraprak janë: Presidenca 20 dhurata,  Kuvendi i Kosovës 16 dhurata, Zyra e Kryeministrit 14 dhurata,  Agjencia kundër Korrupsionit 1 dhuratë, Ministria e Financave 9 dhurata,  Ministria e Punëve të Jashtme 2 dhurata,  Prokuroria e Shtetit 1 dhuratë,  Fondi për Sigurimin e Depozitave në Kosovë 1 dhuratë, Zyra e Rregullatorit për Energji 12 dhurata,  Komuna e Graçanicës 1 dhuratë” thuhet në raport.

Havolli tha se 48 raste janë trajtuar për shkelje të mundshme të Ligjit të Prokurimit Publik, ku 22 raste prej tyre janë mbyllur.

Në raportin e AKK-së thuhet se ka vend për përmirësime, sidomos në iniciativat e përbashkëta institucionale drejt koordinimit sa më efektiv në fushat që lidhen me hetimin dhe parandalimin e korrupsionit, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, parandalimin e konfliktit të interesit të zyrtarëve të lartë publik dhe parandalimin e korrupsionit në aktivitete e prokurimit publik.