Punësimi i djalit të dajës së drejtoreshës së Spitalit të Mitrovicës, AKK gjen konflikt interesi

Drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj.

Drejtoria e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar e konfirmoi këtë për KALLXO.com.

“Ditën e nesërme do të caktohet zëvendësuesi i drejtorit të spitalit, deri në procedim të konkursit të rregullt” – kanë thënë Zyra për Media e ShSKUK-së.

Dorëheqja e saj vjen, disa ditë pas vendimit të Agjencisë Kundër Korrupsionit se drejtoresha ka pasur konflikt interesi kur ka punësuar djalin e dajës së saj si depoist në spital.

“Ekziston konflikti i interesit për zyrtaren e lartë, znj. Luljeta Zhubi, pasi që e njëjta në cilësi të Drejtoreshës ekzekutive të Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, ka nënshkruar kontratën e marrëdhënies së punës, të datës 02.08.2023, për punësimin e K.J., person i afërm i saj (djali i dajës), në kundërshtim me nenin 17, paragrafi 1 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit” – thuhet në vendimin e AKK-së.

Agjencia ka kërkuar nga spitali dhe nga ShSKUK që ta anulojë këtë kontratë.

Lidhur me këtë shkelje, Agjencia ka vendosur edhe që të iniciojë procedurë kundërvajtëse në gjykatën kompetente ndaj Zhubit.

Luljeta Zhubi është arsyetuar para AKK-së, se nuk e ka ditur që ky punësim do të paraqiste konflikt të interesit.

AKK ka pranuar pretendim edhe për punësimin e gruas së djalit të dajës së Zhubit si infermiere, në vitin 2021, por nuk e ka vlerësuar si të nevojshëm shqyrtimin e këtij pretendimi.

Kjo pasi që, sipas Agjencisë, ajo është zgjedhur përmes konkursit dhe edhe po të ishte gruaja e djalit të dajës, siç thuhet në vendim, ky nuk do të ishte konflikt i interesit. Ajo po ashtu ka thënë se rekrutimi i tij është bërë përmes konkursit. Ndërkaq, komisionin përzgjedhës, Zhubi ka thënë se e ka formuar drejtori mjekësor, pasi që ajo ka qenë në pushim mjekësor.

Luljeta Zhubi e kontaktuar nga KALLXO.com tha se dorëheqja e saj nuk ka lidhje me vendimin e Agjencisë.

Në përgjigje për KALLXO.com, Luljeta Zhubi tha se dorëheqja e saj nuk ka lidhje me vendimin e Agjencisë, por se është shumë e ngarkuar duke punuar edhe si infektologe, duke e qenë e vetmja infektologe në spital.

Lidhur me vendimin e AKK-së, ajo tha se kontrata e djalit të dajës së saj është shfuqizuar, derisa ka shtuar se nuk ka qenë në dijeni se ka pasur konflikt interesi.

Shënim: Artikulli është edituar duke ia shtuar përgjigjen e drejtoreshës së dorëhequr të spitalit, Luljeta Zhubi. Ajo nuk ishte përgjigjur para publikimit të artikullit, por vetëm pas publikimit.