Hashim Thaçi ia falë burgun përkrahësit të  Fatmir Limajt

Dy të dënuar për vrasje, një për vrasje në tentativë, dy për rrezikim të trafikut publik dhe një i dënuar për mashtrim përfituan nga falja e Presidentit të Kosovës.

I fundit në listën e të falurve nga Presidenti ishte Hysni Xhavit Fejza i dënuar për mashtrim ndërsa Presidenti i fali pjesën e mbetur të dënimit.

KALLXO.com ka marrë vesh se i njëjti përkrah publikisht partinë NISMA Socialdemokrate , kryetar i të cilës është Fatmir Limaj.

Përveq kësaj, me një kërkim të thjeshtë në Google emri i Fejzës lidhet me struktura të NISMA Socialdemokrate.

Hysni Xhavit Fejza tashmë i liruar sipas dekretit zyrtar tha se nuk ka pasur asnjëherë pozitë zyrtare në NISMA mirëpo ka miq aty.

“Është e vërtetë që unë kam marrë falje nga Presidenti, si çdo tjetër person që gjendet në vuajtje të dënimit, që ka të drejtë të shtrojë kërkesë te Presidenti… Unë as nuk kam qenë kandidat për Nismën, as nuk kam qenë kryetar i ndonjë prej forumeve brenda subjektit Nisma! Nuk i përkas asnjë subjekti politik. Ndoshta kam qenë pjesë e ndonjë tubimi elektoral, pasi që kam shumë miq aty, por i angazhuar asnjëherë!”, tha Fejza për KALLXO.com.

Në anën tjetër, KALLXO.com ka siguruar fotografi ku Fejza shihet përkrah Fatmir Limajt dhe Endrit Shalës që tani është Ministër i Tregtisë.

Fotoja mban përshkrimin :”Përkrah fitimtarëve”.

Fejza megjithatë thotë se kjo foto nuk do të thotë asgjë për lidhjet e tij politike.

“Kjo foto nuk d.mth kurgjo, çdo njeri munet me shku besoj ne zyre të ndonjë subjekti, ose me simpatizu nje koncept politik! Unë jam në foto, siç kam foto edhe me Albin Kurtin, ose ndonje lider tjetër”, tha ai.

Sipas Fejzës ai ka qenë i dënuar për veprën e mashtrimit lidhur me keqpërdorimin e një donacioni.

Fejzës i është falur pjesa e mbetur e dënimit.

https://kallxo.com/presidenti-fali-te-denuar-per-vrasje-mashtrim-e-rrezikim-trafiku/