Çka kishte deklaruar Presidentja Jahjaga për faljen e të dënuarve për vrasje
Javën e fundit bëri bujë lajmi për faljen e dy të dënuarve për vrasje në rastin e njohur si “Bllaca”, nga ish presidenti Hashim Thaçi.
Dy të dënuarve të këtij rasti, Shpresim Ukës dhe Bekim Sylës iu falën një pjesë e burgut me vendimin e ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë para dorëheqjes së tij.
Shpresim Uka ishte dënuar me 15 vite burgim në rastin “Bllaca” për pjesëmarrje në vrasjen e Ibush Kllokoqit dhe tentim vrasjen e ish-zëvendës kryeministrit të Kosovës Adem Salihaj.
Ndërsa në të njëjtin rast ishte dënuar edhe Bekim Syla me 12 vite burgim.
Ukës me dekretin e presidentit iu falën 4 vite burgim ndërsa Sylës i janë falur 3 vite e 6 muaj burg.
Ajo çka është interesante është fakti se presidenti fali Shpresim Ukën edhe pse i njëjti ishte në arrati pasi ishte dënuar.
Sipas ligjit, personat që kanë tentuar t`i shmangen dënimit nuk kanë të drejtë që të kërkojnë falje nga presidenti.
Ky nuk është rasti i vetëm që ish presidenti i Kosovës ka falur të dënuar për vrasje.
Në shkurt të vitit 2018 ai kishte falur katër persona që vuanin dënimet për vrasje ose tentim vrasje. Me dekretin e presidentit 4 vite i ishin falur Isa Mazrekut që po vuante dënimin prej 14 viteve burgim për vrasje.
Dy vite i ishin falur të dënuarës për vrasje të rëndë Valbona Zogaj, ndërsa tri vite i ishin falur Hamit Hysenit, që ishte dënuar me 16 vite burgim për vrasje.
Përpos të dënuarve për vrasje ish presidenti Thaçi kishte falur edhe persona në lidhje me PDK-në që deri vonë e udhëhiqte.
Granit Paçarizit, personit që shihet i fotografuar me zyrtarë të lartë të PDK-së me dekret të presidentit i ishte falur 1 vit burgim.
Personit që iu fal burgu nga Hashim Thaçi, pi shampanjë me Kadri Veselin
Për më shumë se katër vite nga ish presidenti Hashim Thaçi u falën gjashtëdhjetë e tetë (68) të dënuar, ndërsa nga ish presidentja Jahjaga për pesë vite kishte falur vetëm njëzetë e një (21) të dënuar.
Ajo çka bie në sy te faljet e ish presidentes Atifete Jahjaga është se ato ishin bërë vetëm për festat e Pavarësisë së Kosovës dhe se asnjë të dënuari nuk i ishin falur më shumë se një (1) vit burgim.
Në vitin 2014 ish presidentja kishte falur dy (2) persona, në vitin 2013 kishte falur katër (4) të dënuar, ndërsa në vitin 2014 kishte falur pesëmbëdhjetë (15).
Në lidhje me faljet e të dënuarve për vrasje ish presidentja Jahjaga kishte deklaruar se nuk mund ta falë një të dënuar për vrasje pasi sipas saj është e pakuptimtë falja e tyre.
“Mua më është dukur e pandershme në qoftë se do të kishte qenë në dorën e presidentit që të falet një vrasës, që të falet një dhunues, që të falet një trafikant i drogës. Për mua këto kanë qenë të pakuptimta, sepse ne duhet të mendojmë së pari për viktimën dhe ata që kanë mbetur mbrapa”, kishte deklaruar Jahjaga në emisionin ‘Jeta në Kosovë’.