Haradinaj ne takim me keshilltaret e Angela Merkelit Foto: ZKM

Haradinaj u takua me këshilltarët e Angela Merkelit

Kryeministri Ramush Haradinaj e ka përfunduar takimin me dy këshilltarët e kancelares gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, me të cilët ka biseduar për dialogun final me Serbinë.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim këshilltarët për politikë të jashtme të Kancelares Gjermane, Angela Merkel, Jan Hecker dhe Matthias Lüttenberg, me të cilët ka biseduar rreth zhvillimeve politike dhe ekonomike në vend dhe rajon, si dhe normalizimin e dialogut me Serbinë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Përveç dialogut, Haradinaj ka biseduar edhe për sundimin e ligjit, agjendën e reformave evropiane dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

“Gjermania është një nga partnerët politik dhe ekonomik të Kosovës,  e cila i ka dhënë mbështetje në momente të vështira dhe tani në fuqizimin e zhvillimit ekonomik dhe ofrimin në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Për këtë u jemi mirënjohës”, tha kryeministri Haradinaj.

Në komunikatë, Zyra e Kryeministrit nuk tregon nëse është folur edhe për taksën e Qeverisë ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.