Haradinaj: Rishikimi i vijës kufitare me Malin e Zi, pas liberalizimit

Që nga ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi në mars të këtij vitit, kur 80 deputetë kishin votuar për, Qeveria ende nuk ka bërë hapa para drejt rishikimit të vijës kufitare.

Në bllok ishte votuar edhe Marrëveshja mes dy presidentëve të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, ku thuhet se palët pajtohen se gjatë këtij procesi trupi i përbashkët punues do të identifikojë dhe do të adresojë mosmarrëveshjet eventuale rreth shënjimit të kufirit sipas kësaj aneks-marrëveshjeje.

“Trupi i përbashkët punues në mënyrë specifike do të rishikojë dhe korrektojë në veçanti sektorët në drejtim të Qakorrit dhe Kullës së Zhlebit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të të dy presidentëve.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i pyetur nga BIRN në një konferencë për medie, se a ka  nisur rishikimi i vijës kufitare me Malin e Zi dhe se a janë formuar trupat e përbashkët punues, tha se Qeveria së pari do ta përfundojë temën e liberalizimit të vizave dhe pastaj këtë temë.

Sipas tij nuk është në interes të Kosovës të përzihen temat.

“Ne e kemi ratifikuar Marrëveshjen, njëkohësisht edhe raportin e Komisionit shtetëror dhe Deklaratën e presidentëve. Kemi kohë për vendosjen e gurëve. Nuk janë vendos gurë, nuk është shënjuar kufiri. Kohën përpara po e shfrytëzojmë për me përmbyllë procesin e liberalizimit të vizave. Kemi interes mos me i përzi këto dy tema”, tha Haradinaj.

Arsyeja që nuk dëshiron që të përzihen këto dy tema sipas kryeministrit është se nuk dëshirojnë të dërgojnë mesazh se tema e Demarkacionit nuk ka përfunduar.

“Është interes i Kosovës, për hatër të Kosovës, të qytetarëve të vendit mos m’i përzi temat. S’po dëshirojmë me dërgu mesazhe se kjo temë nuk është zgjidhë. Ajo temë është zgjidhur, kemi dakordim për korrigjim por një herë po dëshirojmë me krye temën e liberalizimit të vizave”, tha Haradinaj.

Sipas kryeministrit, Komisioni shtetëror i Kosovës ekziston, është i krijuar nga profesor Bulliqi dhe se sipas tij ky Komision është për çdo temë të kufijve.

E Shpejtim Bulliqi, kryetar i Komisionit për shënjimin e Kufirit të Kosovës me Malin e Zi, i pyetur nga KALLXO.com se a është formuar trupi i përbashkët punues i cili do të identifikojë dhe do të adresojë mosmarrëveshjet eventuale rreth shënjimit të kufirit sipas kësaj aneks-marrëveshje, tha se nuk është punë e Komisionit por e Kryeministrisë.

“Është mirë me u drejtu në Kryeministri sepse nuk është kjo punë e Komisionit. Formimi i trupave është punë e Kryeministrisë, nuk është punë e jona”, tha Bulliqi.

Analisti Imer Mushkolaj tha për KALLXO.com se Marrëveshja e arritur apo deklarata e nënshkruar nga presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, nuk është gjë tjetër përveç se një arsye për të kaluar marrëveshjen e vitit 2015 siç ndodhi në Kuvendin e Kosovës.

Mushkolaj tha se ka arsye me qenë skeptik, pasi Qeveria i ka dhënë këto arsye për të dyshuar.

“Po unë megjithatë do të doja që komisionet të takoheshin dhe të shihet se çfarë mund të përmirësohet sidomos në korridoret e kullës së Zhlebit dhe të Qakorrit ashtu siç qëndron në deklaratën e përbashkët. Por se kur duhet të ndodh kjo se kam idenë dhe nuk besoj që as qeveria e ka idenë ose ka plan konkret se kjo brenda një kornize kohore duhet të ndodh”, tha Mushkolaj.

Sipas Mushkolaj, ky rishikim i vijës kufitare nuk është i njëanshëm dhe duhet të pajtohet edhe pala malazeze.

“Situata këtu komplikohet për shkak se varet edhe prej vullnetit të Malit të Zi”, theksoi Mushkolaj.

Sipas tij, ekziston një periudhë dyvjeçare për rishikimin e kësaj Marrëveshjeje, por gjithsesi ishte dashur që ekipi të jeta gati dhe ta fillojë punën e cila sipas tij nuk mund të bëhet shumë shpejt.

“Unë besoj që disa muaj pas kalimit të Marrëveshjes për Demarkacionin është dashtë ekipi të jetë gati dhe ta fillojë punën pavarësisht se ende nuk e kemi marrë liberalizimin e vizave”, tha Mushkolaj duke shtuar se nuk i sheh si procese të lidhura liberalizimin e vizave dhe Demarkacionin pasi janë procese ndaras.

Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje, kishte reaguar në rrjetin social “Facebook”, duke thënë se katër muaj më parë në Kuvendin e Kosovës u ratifikua Marrëveshja e Vjenës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila ia mori vendit tonë 8.200 hektarë.

Sipas Kurtit, atë kohë kishin këmbëngulur që kjo marrëveshje të korrigjohej para se të votohej, duke marrë parasysh dokumentacionin dhe hartat, faktet dhe opinionet shkencore të gjeografëve, historianëve dhe ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, peticionin e mbi 205 mijë qytetarëve, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës, duke shtuar se ky dikur ishte edhe qëndrimi i Haradinajt dhe i Limajt, para se të hynin në Qeveri.

“Por ata vendosën ta votojnë pa e korrigjuar marrëveshjen, sepse thanë se votimi do ta sillte liberalizimin e vizave. Gjithashtu e garantuan popullin e Kosovës se do të bëhet korrigjimi i vijës kufitare me komision të përbashkët, pas ratifikimit. Katër muaj më vonë korrigjimi as ka ndodhur, e as ka nisur. Çakorri e Zhlebi tash kanë mbetur përtej kufirit e Kosova u zvogëlua. Ndërsa liberalizimi i vizave u shndërrua në rekomandimin e radhës dhe mbetet çështje e një të ardhmeje të papërcaktuar”, ka shkruar Kurti.

Kurti përfundon se “Qeveria Haradinaj duhet të japë dorëheqje: ajo e votoi dhurimin e territorit të vendit duke mashtruar publikun, edhe për korrigjimin, edhe për liberalizimin”.