Ramush Haradinaj - Eliot Engel

Haradinaj: Lidhja Jonë me Engel, Thesar i Çmuar

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot kongresistin amerikan Eliot Engel, i cili njihet për mbështetje të madhe që i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi që nga zgjedhja e tij në Kongresin amerikan.

Fillimisht, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kongresisti amerikan, Eliot Engel, kanë vënë kurora lulesh për viktimat hebreje gjatë Luftës së Dytë Botërore, te pllaka përkujtimore që shenjëzon vendin ku ishte Sinagoga e fundit.

Ata kanë përkujtuar dhe nderuar kujtimin për këto viktima me një minutë heshtje para pllakës që gjendet në oborrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Lidhja jonë e posaçme me mikun tonë unik, Kongresistin Eliot Engel, është thesar i çmuar që do të mbetet në kujtesën e shumë brezave”, tha Haradinaj pas takimit në një postim në Facebook.

“Shqiptarët do të jenë gjithmonë mirënjohës për kontributin e tij historik dhe të pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Nuk do të harrojmë kurrë kohën dhe dashurinë e tij kushtuar çështjes së Kosovës”, shtoi Haradinaj.

Sot paradite, Qeveria e Kosovës nën drejtimin e kryeministrit, Ramush Haradinaj, ka mbajtur mbledhje solemne, në të cilën kongresisti amerikan Eliot Engel i është adresuar kabinetit qeverisës me fjalë rasti.

Fillimisht kryeministri Haradinaj i ka dëshiruar mirëseardhje dhe ka njohur kabinetin qeveritar me angazhimet e Eliot Engel për Kosovën dhe me angazhimin e kabinetit të tij qeverisës për të avancuar dhe zhvilluar vendin.

Mbledhja solemne e qeverisë së Kosovës me kongresistin amerikan, Eliot Engel. Foto: ZKM.