Haradinaj: I admirueshëm guximi i Vasfije Krasniqit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka admiruar guximin e Vasfije Krasniqi Goodman, e cila ka dëshmuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për dhunimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Haradinaj përmes një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se dëshmitë e Vasfije Krasniqi-Goodman, Ilir Bytyqit dhe presidentes Jahjaga në Kongresin amerikan janë zëri më i besueshëm i Kosovës për krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.

“I admirueshëm guximi i Vasfijes, e cila u bë zëdhënëse e rreth 20 mijë femrave shqiptare, viktima të dhunës seksuale. Mirënjohës Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie të Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, i cili mizoritë serbe në Kosovë i emëroi gjithmonë me emrin e tyre të vërtetë, krime kundër njerëzimit”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.

KALLXO.com ka raportuar sot në vazhdimësi nga seanca dëgjimore nga Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së për “Viktimat e luftës në Kosovë – Në kërkim të drejtësisë”.

Vasfije Krasniqi Goodman, viktimë e përdhunimit gjatë luftës, u shpreh edhe pse sot jeton në Teksas në një vend larg vendit ku përjetoi tmerrin, ajo thotë se nuk do të gjejë kurrë paqe në jetën e saj pa u vendosur drejtësia.

“Ka 13 vite që jam shtetase e SHBA-së mirëpo SHBA-të nuk kanë bërë asgjë për mua deri tani, por nuk ka bërë as vendi im Kosova, të dyja vendet më kanë zhgënjyer. Por shpresoj që nëse jo për mua të sjellin drejtësi për viktimat e tjera”, tha Krasniqi-Goodman.

Historia e Vasfijes

Vasfije Krasniqi ishte vetëm 16-vjeçe në prillin e vitit 1999 kur ishte rrëmbyer nga shtëpia e saj në fshatin Stanoc i Ulët nga një person i uniformuar dhe ishte dhunuar seksualisht në dy lokacione të ndryshme në Babimoc, nga dy persona të ndryshëm.

Ky është i vetmi fakt i pakontestuar i gjykatave të Kosovës, në të cilat nuk u gjetën fajtorët e këtij krimi.

Vasfije Krasniqi ka dalë për herë të parë publikisht dhe ka rrëfyer gjithë tmerrin që ka përjetuar në prillin e vitit 1999.

Beteja për drejtësi e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës së vitit 1999 kishte filluar në vitin 2012, me ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

KALLXO.com sjell një kronologji të të gjitha proceseve gjyqësore të zhvilluara në Kosovë për rastin e Vasfije Krasniqi Goodmanit.

https://kallxo.com/deshmia-historike-e-vasfije-krasniqi-goodman-para-kongresit-amerikan/

.