Hamiti: Tendenca që Dhuna të Legjitimohet

Në një adresim para Kuvendit të Kosovës, deputeti nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti, ka propozuar që raportet që do të duhej të trajtoheshin në seancën e sotme të mos trajtohen, meqë edhe ashtu nuk janë raporte që lidhen me një datë, sepse disa, siç tha ai, edhe ashtu janë mjaft të vonuara.

Deputeti Hamiti propozoi që të procedohet me leximet e propozimligjeve dhe të shkohet në dy zgjedhje, të cilat sipas tij duan mjaft kohë, ndonëse tha se kjo varet nga grupet duan a s’duan.

“Për një sezon të tërë të Parlamentit të Kosovës dhe për këtë të dytin që nisi sot, nuk mund të mos e them këtu para të gjithë kolegëve mënyrën e të menduarit apo të perceptuarit, të ndjesisë që kam për këto zhvillime, që janë zhvillime politike brenda Parlamentit por edhe jashtë tij, janë të shoqërisë së Kosovës por edhe përtej saj.

Nëse i shikojmë pamjet rreth Parlamentit janë pamje joimpresive. Mënyra e hyrjes në derë të Parlamentit dhe pamjet brenda, dhe kjo qëndrueshmëri nëpër gjithë këtë tym është për studim”, theksoi Sabri Hamiti.

“Na janë shfaqur shenjat e vërteta se këtu ka tendencë që të legalizohet dhe legjitimohet dhuna, dhuna politike dhe njerëzore, e cila nëse duket në Parlament, ta dini se duket shumë më e ndjeshme përtej tij”, shtoi ai në seancën parlamentare, në të cilën nuk është lejuar të hynë deputetët e opozitës.

Pra, shtoi Sabri Hamiti, është moment për reflektim të fortë nga secili. “As nuk mund ta lëvdojmë veten e ta shajmë tjetrin, as anasjelltas, sepse të gjithë jemi zgjedhur me të njëjtin ligj dhe me votën popullore”, tha ai. [interaction id=”56c7417ab6c51fb652f6f0a4″]