Arkiv - Gjykimi ndaj Granit Elshanit

Granit Elshani Deklarohet i Pafajshëm për Vrasjen e Vitit 2010

Në Gjykatën Themelore të Pejës është mbajtur seanca fillestare ndaj Granit Elshanit i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për gjashtë vepra penale të ndodhura në janar të vitit 2010 në Pejë.

Elshani akuzohet për vrasje të rëndë, tri tentim vrasje të rënda, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Që të gjitha këto pika të akuzës, sipas prokurorisë, janë konsumuar natën e 2 janarit 2010 në diskotekën “City Club” në Pejë.

Në seancën fillestare aktakuza nuk u lexua nga Prokurori i EULEX-it, Andrew Hughes nga Prokurorisë Speciale të Kosovës, pasi që avokati i palës mbrojtëse Ndrec Dodaj dhe vetë i pandehuri thanë se nuk është i nevojshëm leximi i saj ngase e kanë kuptuar atë.

“Meqenëse e kemi pranuar me kohë aktakuzën edhe unë edhe i pandehuri jemi të njoftuar përbërjen e saj dhe nuk e shohim të domosdoshme leximin e saj dhe mund të deklarohemi për fajësinë pa e lexuar fare”, tha Dodaj.

Ndërsa i pyetur trupi gjykues për secilën pikë të aktakuzës veç e veç, i pandehuri Granit Elshani u deklarua i pafajshëm për të gjashtë  veprat penale që akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Jo, asnjë pikë s’jam i fajtor”, tha Elshani.

Sipas avokati Dodaj, klienti i tij i kundërshtoi tri arsyet e prokurorisë pse ai të mbahet në paraburgim.

Avokati tha se Granit Elshani është dorëzuar vetë tek organet e drejtësisë si dhe nuk mund të ketë ndikim tek dëshmitarët e provat materiale pasi, sipas tij, ato janë shpalosur gjerësisht me ngritjen e aktakuzës nga prokuroria.

Si arsye të tretë për masën e paraburgimit, avokati i palës mbrojtëse tha se Prokuroria më shumë është referuar te historiku mes dy familjeve të hasmuara në Pejë.

“Prokuroria me tepër iu ka referuar një historie që ka të bëjë me raport të dy familjeve në Pejë, ku faktikisht roli i të pandehurit në atë histori ka qenë minor apo totalisht i parëndësishëm. Ky dyshohet për vet faktin që është pjesëtar i njërës prej familjeve” tha Dodaj.

Ai po i referohej një historie të gjatë hasmërie ndërmjet familjes Elshani dhe Kelmendi. Konflikti mes këtyre familjeve ka shkaktuar shumë viktima në vitet e pasluftës.

Ndërsa, Prokurori i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Andreë Hughes tha se kanë dhënë prova të mjaftueshme që i njëjtit të mbahet në paraburgim. Ai tha së është e vërtetë që Granit Elshani është dorëzuar vetë në polici por ketë e ka bërë pas gjatë vitesh.

“Për gjashtë vjet ai nuk ka qenë në Kosovë. E kemi një vepër të rëndë e që ka të bëjë me privimin apo marrjen e jetës së një presoni dhe duke marrë parasysh historinë e gjatë ndërmjet këtyre dy familjeve ne besojmë që ka gjasa që mund të ndikohet te dëshmitarët dhe shkatërrimin e provave materiale. Dëshirojmë që gjykata t’ia vazhdojë masën e paraburgimit”, tha prokurori Hughes.

Seanca e radhës nga trupi gjykues është caktuar të mbahet me datë 23 janar të vitit 2017.

Ekipi i KALLXO.com kishte filmuar vetëdorëzimin e Granit Elshanit tek organet e Policisë së Pejës nën shoqërimin e avokatit të tij dhe familjarëve në tetor të këtij viti.

http://kallxo.com/dorezohet-ne-polici-granit-elshani/

Po ashtu KALLXO.com kishte raportuar për shqiptimin e masës së sigurisë prej 30 ditë paraburgim nga Gjykata Themelore e Pejës me ç’rast Granit Elshani ishte sjellë nën përkujdesjen e masave të rrepta të sigurisë.

http://kallxo.com/granit-elshani-sillet-ne-gjykate/

Me 25 nëntor KALLXO.com po ashtu raporti për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj Granit Elshanit.

http://kallxo.com/aktakuze-per-vrasjen-e-vitit-2010-ne-peje/