Ilustrim

Grabitësi godet me thikë punëtorin e pompës së benzinës në Bellobrad të Dragashit

O.M. i dyshuar për grabitjen e një pompe të benzinës në fshatin Bellobrad të Dragashit, sipas dosjes së Prokurorisë nën kërcënimin e thikës ka kryer grabitje.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë O.M. në ditën kritike me datën 20.02.2019 rreth orës 23:20, në fshatin  Bellobrad, Komuna e Dragashit, duke përdorur forcën apo kanosjen serioze i maskuar me një qorap të zezë në kokë si dhe duke pasur me vete një thikë, ka kryer grabitjen.

“O.M. hynë në pompën e benzinës “Ari Petrol” dhe kur e vëren të dëmtuarin i cili ka qenë në cilësinë e rojtarit fillon duke i bërtitur dhe duke i kërkuar “paret-paret”, me ç ‘rast  me thikë në dorë, e godet viktimën dy herë në pjesën e majtë të shpinës, pas së cilës i njëjti merr një sasi të caktuar të parave dhe largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur pas së cilës viktima – i dëmtuari është dërguar me automjetin e ambulancës në Spitalin Rajonal të Prizrenit ku edhe iu është dhënë ndihma e parë”, thuhet në kumtesë të Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale O.M. nga Brodosana e Dragashit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka goditur me thikë rojtarin e pompës se benzinës, dhe ka kryer vjedhje.

Siç njofton Gjykata e Prizrenit, i pandehuri ka marr një sasi të caktuar të parave dhe i dëmtuari është dërguar me automjetin e ambulancës në Spitalin Rajonal të Prizrenit ku edhe iu është dhënë ndihma e parë.

Masa e paraburgimit të dyshuarit O.M. do të llogaritet prej datës së arrestimit 21.02.2019 e cila do të zgjasë  deri me datën 23.03.2019.