Shpresa Emra - Kryetare e Gjykatës Themelore të Prizrenit

Shpresa Emra emërohet kryetare e Gjykatës Themelore të Prizrenit

Gjykata Themelore e Prizrenit nga sot do të kryesohet nga gjyqtarja Shpresa Emra, e cila mori pozitën e kryetares me shumicën e votave.

Gjatë ditës së enjte, në takimin e 286-të, gjykatësja Emra me gjashtë vota të anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka marrë besimin për udhëheqjen 5 vjeçare të këtij institucioni.

Komisioni vlerësues për votim në Këshill Gjyqësor ka rekomanduar edhe kandidatët Atdhe Berisha dhe Agron Hoxha të cilët nuk morën vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur.

Gjykatësi Hoxha mori vetëm dy vota, ndërsa gjykatësi Atdhe Berisha vetëm një votë.

Ndryshe për kryetar të Gjykatës së Prizrenit ka qenë në garë edhe ish–kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Skender Çoçaj, i cili ishte tërhequr nga gara pasi i njëjti nuk kishte marrë pjesë në intervistë.

Ndërkaq, gjykatësi Shaban Shala pas shqyrtimit të aplikacioneve nuk ishte ftuar për intervistë.

Gjykata e Prizrenit që nga qershori i vitit 2020 ka funksionuar pa kryetar. Si ushtrues detyre gjatë kësaj kohe ka qenë Artan Sejrani.

Artan Sejrani bëhet ushtrues detyre i Kryetarit të Gjykatës së Prizrenit

Më 23 qershor 2020, pas pensionit të Ymer Hoxhës, i cili ka mbajtur katër mandate (16 vite) në këtë gjykatë, Sejrani ishte caktuar si ushtrues detyre i kryetarit.

Pas kësaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 27 janar 2021 kishte shpallur konkurs për pozitën e të parit të Gjykatës, ku kishin garuar vetëm dy kandidatë.

Në garë për kryetar ishin Agron Hoxha dhe Artan Sejrani, mirëpo ky i fundit në ditën e intervistimit për arsye personale ishte tërhequr.

Edhe pse i vetëm në garë, Agron Hoxha nuk arriti t’i merrte votat e mjaftueshme nga anëtarët e KGjK-së për t’u emëruar kryetar.

Pas dështimit të procesit të zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Prizrenit, KGjK-ja në mbledhjen e mbajtur më 7 tetor 2021 vendosi ta rishpallte konkursin.

Rishpallet konkursi për kryetar të Gjykatës së Prizrenit