1 muaj paraburgim për personin që dyshohet se rrahu gruan dhe vëllain

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin A. Q. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale.

Nga provat e mbledhura, Gjykata ka vlerësuar se ka dyshim të bazuar se i pandehuri A. Q. me 25 mars në shtëpinë e tyre të përbashkët sistematikisht ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij.

Sipas Gjykatës, gjatë kohës sa ka qenë duke ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, ka ndërhyrë vëllai i të pandehurit për t’i ndarë.

I pandehuri dyshohet se ka sulmuar edhe vëllain e tij me grushte në po atë natë.

“Po ashtu duke marrë parasysh faktet se i pandehuri është konsumues i alkoolit dhe sipas deklaratës së të dëmtuarës, i njëjti edhe më parë ka ushtruar dhunë fizike e psikike ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij duke e fyer dhe sulmuar fizikisht, arsyetojnë faktin se i njëjti duhet të dërgohet nën masën e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.