Prapa grilave - Ilustrim

Një muaj paraburgim për të dyshuarin që rrahu gruan

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit Sh. K., si i dyshuar për kryerjen e vepres penale “Sulm”.

Sipas komunikatës, Sh. K. dyshohet se më datën 31 maj, në orët e mbrëmjes, në shtëpi me dashje e sulmon fizikisht bashkëshorten tij. Ata fillimisht ishin fjalosur mes vete, e më pas i pandehuri nën ndikimin e alkoolit, e godet fizikisht të dëmtuarën me grushte në fytyrë dhe në pjesë të ndryshme të trupit, mirëpo nga këto goditje e dëmtuara nuk pëson lëndime të dukshme në trup dhe nuk pranon që të merr tretman mjekësor.

“Gjyqtarja e procedurës, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, pasi që hetimet në këtë çështje janë në fazën fillestare, si dhe duke marrë parasysh peshën e veprës penale, dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, ashtu që i pandehuri me dashje e sulmon të dëmtuarën, dhe përveç se e kishte goditur fizikisht i njëjti kishte vazhduar duke ushtruar dhunë psikologjike deri në ardhjen e Policisë në vendin e ngjarjes”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Prizrenit.

Si rrjedhojë, gjyqtarja ka konsideruar se duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit, sjelljet në shtëpi, abuzimi me alkool, të gjitha këto arsyetojnë masën e paraburgimit si të domosdoshme për sigurimin e prezencën së të pandehurit dhe të evitohet rreziku i përsëritjes së veprës penale.