Konferenca për përgatitjet për Gjysmëmaratonën e Prishtinës – Foto: KALLXO.com

Gjysmëmaratona e Prishtinës, për Herë të Parë si Anëtare e FBA-së

Halil Sylejmani, kryetar i Federatës Atletike të Kosovës, ka thënë se për herë të parë kësaj Federate i është dhënë mundësia që si anëtare e Federatës Ballkanike të Atletikës të organizojë gjysmëmaratonën e Prishtinës.

Sylejmani tha se kështu në mënyrën më të mirë është shpërblyer puna e palodhshme e të gjithëve në Federatë.

Lejen për organizimin e gjysmëmaratonës ballkanike Federata e ka marrë në Izrael në vitin e kaluar.

Gjysmëmaratona e 14 majit, është e 17-ta me radhë. Ajo organizohet nga Federata e Atletikës e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport të Komunës së Prishtinës si dhe me partnerë të tjerë.

Ndërsa Afërdita Fazliu, zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Sportit në MKRS, tha se Ministria do ta mbështesë Federatën sepse ajo i ka përmbushur kriteret e saj si federatë profesionale.

Kurse Fatlum Grajçevci, koordinatori i garës, ka thënë se këtë vit është shtuar numri i vullnetarëve.

Risia kësaj here, sipas Grajçebcit, është se këtë vit do të bëhet matja e kohës me satelit dhe se rezultatet mund të shihen menjëherë pas përfundimit të garës.

“Rezultatet kanë mundësi që edhe garuesit por edhe ata të cilët i përcjellin garuesit të dinë momentin kur janë në dhjetë kilometra, të dinë ku janë garuesit ose më të dashurit e tyre por edhe kur të kryhet gara komplet do të jenë rezultatet online. Faktikisht menjëherë mund të shohin rezultatet e tyre dhe kohën e tyre sa  e kanë arritur”, ka shtuar ai.

Regjistrimi në Prishtinë do të jetë nga data 6 deri në datën 13 maj përderisa të dielën nuk do të ketë mundësi askush të regjistrohet, kanë bërë të ditur panelistët.

Në konferencë u bë e ditur gjithashtu se ka pasur një interesim enorm të mediave të huaja për të përcjellë këtë ngjarje.

Sipas organizatorëve të kësaj ngjarjeje sportive, do të jetë edhe një ekran gjigant rreth me 24 m2, i cili do të vendoset në hapësirën mbrapa ku përveç daljes në transmetim drejtpërdrejt ata që janë afër do të kenë mundësi që të shohin gjendjen në shteg përmes transmetimit të drejtpërdrejt që do të jetë herë pas here por edhe rezultatet.