Arben Hoti

Gjyqtari paralajmëron masa ndaj kërcënimeve për lirinë e medias

Një gjyqtar në Kosovë thotë se roli i tij i ri në koordinimin e rasteve që kanë lidhje me gazetarët tregon se sistemi gjyqësor është serioz për mbrojtjen e lirisë së medias.

Personi i ngarkuar nga gjyqësori i Kosovës të mbikëqyr rastet gjyqësore që përfshijnë sulme apo kërcënime ndaj gazetarëve, thotë se emërimi i tij është provë e një angazhimi të përtërirë për të mbrojtur lirinë e medias në vend, ku gazetarët shpesh kanë qenë pre e sulmeve.

Arben Hotit iu dha detyra e re në Gjykatën Themelore të Prishtinës më 18 qershor pas një sërë sulmesh të profilit të lartë ndaj gazetarëve.

Në një intervistë me BIRN, Hoti tha se ai kishte kontaktuar tashmë me Shoqatën e Gazetarëve të Kosovës për ndihmën e saj në krijimin e një baze të dhënash për të gjitha rastet e tilla.

“Caktimi im si koordinator i këtyre rasteve shpreh vullnetin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afërdita Bytyçi, për të punuar më shumë mbi këtë çështje, duke pasur parasysh rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe të medias,” tha Hoti për BIRN.

“Ne do të krijojmë një bazë të dhënash në të cilën do të përshkruhen të gjitha masat e marra nga gjyqtarët e gjykatës sonë,” tha Hoti, duke shtuar se rasteve të tilla do t’i jepej përparësi, duke respektuar një angazhim tjetër të gjyqësorit për të reduktuar një numër të vjetër rastesh.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës, aktualisht ka 22 raste të hapura para gjykatave të Kosovës që përfshijnë kërcënime kundër gazetarëve.

Vetëm në vitin 2018, policia mori 28 raportime për kërcënime apo sulme fizike kundër gazetarëve në Kosovë.

Kosova u rendit në vendin e 78 nga 180 vende në Indeksin e Lirisë Botërore të Shtypit të Reporterë pa Kufij për vitin 2018, më vendeve të tjera ballkanike si Serbia, Bosnja, Shqipëria dhe Kroacia.

Vitin e kaluar, gazetari investigativ Parim Olluri u sulmua në Prishtinë, ndërsa autorë të panjohur sulmuan ish-gazetaren Arbana Xharra natën vonë jashtë shtëpisë së saj dhe Vehbi Kajtazi, kryeredaktor i gazetës online Insajderi, u sulmua në një bar të Prishtinës.

“Askush mbi ligjin”

Hoti tha se nuk ishte saktësisht e qartë se sa raste ku përfshihen gazetarë ishin të pazgjidhura pasi ligji nuk bën dallim midis viktimave të sjelljeve kërcënuese apo sulmeve.

“Por ne po punojmë për identifikimin e tyre,” tha ai. “Jemi përpjekur t’i japim përparësi këtyre rasteve në të kaluarën, por nuk kemi pasur të dhëna të sakta, pasi sipas ligjit nuk ka ndarje të tillë.”

Hoti, i cili gjithashtu shërben si gjyqtar në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tha se gjyqtarët kishin dënuar disa prej atyre që fshiheshin pas sulmeve ndaj gazetarëve, por pranuan se mund të bëhej më shumë.

“Prandaj, qëllimi i emërimit si koordinator për këto raste është zgjidhja e tyre brenda një afati kohor të arsyeshëm,” tha ai për BIRN.

Hoti tha se ishte i sigurt se gjyqësori do të mbështeste “detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore” dhe se “të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit dhe askush s’do të jetë mbi ligjin”.

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës e mirëpriti emërimin e Hotit dhe atë të një koordinatori kombëtar në Prokurorinë Shtetërore për rastet që përfshijnë gazetarët.

“Ne besojmë se që tani e në vazhdim rastet që kanë lidhje me gazetarët do të trajtohen seriozisht nga gjyqtarët, me një ndikim të pashmangshëm në mbrojtjen e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe në nivelin e profesionalizmit në media,” tha shoqata në një deklaratë.

Ajo inkurajoi të gjitha mediat dhe gazetarët e përfshirë në çështjet gjyqësore që të kontaktojnë shoqatën dhe të japin detaje.

“Duke e bërë këtë, së bashku me gjykatën ne do të krijojmë një bazë të dhënash të saktë të çështjeve dhe koordinatori mund të punojë me ato,” lexonte deklarata.