Gjykimi i Nimon Berishës - Foto: KALLXO.com

Gjykimi për vrasjen në pompën e benzinës në Pejë, i akuzuari sërish deklarohet i pafajshëm

Pas më shumë se katër muaj prej kur ishte mbajtur seanca e fundit, në Gjykatën e Mitrovicës sot ka vazhduar gjykimi i të pandehurit Nimon Berisha, i akuzuar se ka vrarë Isa Karagjyzin në pompën e karburanteve “D-Petrol“ në Pejë.

Në seancën e filluar rishtazi, i pandehuri Nimon Berisha u deklarua edhe një herë lidhur me fajësinë e tij.

Ai tha se nuk e ndjen vetën fajtor për veprën penale që i vihet në barrë.

Meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, trupi gjykues u ka dhënë mundësinë palëve që edhe një herë të paraqesin fjalën e tyre hyrëse, por të gjitha palët kanë deklaruar se mbesin pranë fjalëve hyrëse të dhëna më herët.

Trupi gjykues i përbërë nga Avni Mehmeti kryetar dhe Sabit Rama e Burim Ademi anëtarë kanë rikonfirmuar të gjitha vendimet e marra në lidhje me këtë çështje në seancat e mëparshme.

Trupi gjykues më pas kaloi në administrimin e provave materiale.

Ndërsa mbrojtja e të pandehurit, e përbërë nga avokatët Visar Vehapi dhe Ramiz Krasniqi, i kanë propozuar Gjykatës që të bëhet ekspertizë e të pandehurit Nimon Berisha në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të konstatuar se a kishte qenë më herët i lënduar në këmbën e majtë apo të djathtë dhe të vërtetohej se Nimon Berisha a kishte çaluar ashtu si shihej në imazhet e kamerave personi që kishte shtënë mbi tani të vrarin Isa Karagjyz.

Avokati Krasniqi po ashtu ka thënë se qëndrojnë pranë kërkesës për ekspertizë antropomentrike në bazë të së cilës do të konstatohej se a përputhen imazhet e kamerave me konstruktin fizik të të akuzuarit.

Mbrojtja e të pandehurit po ashtu ka thënë që të kërkohet nga Policia e Kosovës të merret hartografia e telefonave të Nimon Berishës dhe gruas së tij dhe të vërtetohet se në cilën antenë kanë qenë të lidhur, me çka do të vërtetohej vendndodhja e Nimon Berishës në kohën e kryerjes së veprës penale.

Avokati po ashtu ia prezantoi 5 fotografi trupi gjykues të zmadhuara nga video incizimet e kamerave dhe një fotografi të marrë nga telefoni i Mirjeta Berishës, vajza e të akuzuarit dhe një tjetër të marrë nga telefoni i nipit të të pandehurit e që fotografinë e kishte bërë bashkëshortja e të akuzuarit.

Këto propozime u kundërshtuan nga prokurori Njazi Rexha dhe mbrojtësi i palëve të dëmtuara, avokati Ramë Gashi.

Ndër të tjera, në arsyetimin e kundërshtimit të tij prokurori Rexha ka theksuar se e konsideron si të panevojshëm propozimin e tillë dhe që po bëhet me qëllim të fitimit në kohë. “Ndërsa sa u përket fotove të parashtruara nga ana e mbrojtësve, pikë së pari konsideroj se këto foto janë konsideruar-marrë në mënyrë individuale nga vetë mbrojtësit e që duhet konsideruar si jovalide se këto prova nuk janë marrë në rrugën e duhur ligjore, andaj si përmbledhje propozoj që për këto arsye të gjitha propozimet e mbrojtësve të refuzohen”, ka shtuar prokurori Rexha.

Edhe përfaqësuesi i palëve të dëmtuara, Ramë Gashi, ka thënë se e mbështet në tërësi kundërshtimin e prokurorit dhe ka shtuar si me poshtë.

“Besoj se qëllimi i vërtetë i këtyre propozimeve është prolongimi dhe zgjatja jo e arsyeshme e procedurës dhe përpjekja e mjegullimit të çështjes së akuzës. Po ashtu shkurtimisht vetëm shtoj se ekzistojnë prova në shkresat e lëndës të cilat janë administruar dhe të cilat në mënyrë të qartë flasin për hyrjet dhe daljet e bisedave në telefonin “Iphone 5“ apo SMS të këmbyera ditën dhe natën kritike midis të pandehurit dhe gruas së tij, dhe ky propozim rezulton i panevojshëm dhe është me qëllim të zvarritjes së procedurës“, ka shtuar Gashi.

Lidhur me këto propozime trupi gjykues me aktvendim ka refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ramiz Krasniqi për sa i përket administrimit të provave gjegjësisht shtatë fotografive që sot ia dorëzuan trupit gjykues në gjykatore, me arsyetimin sa i përket pesë fotografive të nxjerra nga incizimet nga kamerat e sigurisë që referohen me kohën kur ka ndodhur ngjarja kritike për gjykatën ekzistojnë prova tjera që vërtetojnë faktet, duke marrë si provë burimore incizimin e marrë nga kamerat e sigurisë 31.12.2014 nga ku shihet se si është zhvilluar në tërësi ngjarja, ndërsa nga raporti mbi ekzaminimin e automjetit HAMER nga ana e njësisë së Forenzikës, Policia Rajonale në Pejë, është evidentuar se ku janë gjetur disa gjurmë të gishtërinjve në derën e automjetit.

Gjykata po ashtu e ka refuzuar propozimin për dëgjimin si dëshmitare të Mirjeta Berishës pasi që këtë e kishin propozuar edhe më herët gjatë shqyrtimit gjyqësor mbrojtja e të pandehurit dhe është tërhequr nga propozimi vetë. Përveç kësaj dëshmia e saj nuk ka asnjë relevancë për çështjen e po ashtu Gjykata ka përfunduar procedurën e dëgjimit të dëshmitarëve dhe ekspertëve.

Meqenëse për këtë seancë ishte planifikuar administrimi i provave trupi gjykues e ka shtyrë seancën e sotme të shqyrtimit gjyqësor për datën 27 dhjetor.

Ndryshe, Nimon Berisha nga Prokuroria Themelore e Pejës akuzohet se më 31 dhjetor 2014 rreth orës 06:35 minuta, në pompën e benzinës “D-Petrol” në Pejë, me qëllim të përfitimit material me pushkë automatike ka vrarë në mënyrë dinake tani të ndjerin Isa Karagjyzi, i cili ishte punëtor i pompës së benzinës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me automjetin e tipit “Hamer” me targa amerikane kishte shkuar në këtë pompë benzine ku e kishte mbushur rezervuarin në shumën 128 euro.

Sipas aktakuzës, pasi Nimon Berisha kishte vërejtur që Isa Karagjyzi ndodhej vetëm në pompën e benzinës, kishte nxjerrë armën automatike AK 47 dhe e kishte qëlluar në gjoks me një predhë Karagjyzin, i cili po priste që Berisha t’i bënte pagesën për karburantin.

Në aktakuzë thuhet se Karagjyzi kishte vdekur nga goditja me armë, ndërsa i akuzuari i kishte marrë çantën e dorës në të cilën ndodheshin 2000 euro, duke ikur pastaj në drejtim të panjohur.

Në këtë proces gjyqësor përpos për vrasje të rëndë, Nimon Berisha akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

KALLXO ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

https://kallxo.com/leshohen-ne-gjykate-video-incizimet-e-vrasjes-ne-peje/

https://kallxo.com/gjykimi-per-vrasjen-ne-pompe-te-benzines-ne-peje/