Gjykimi për vrasjen në pompë të benzinës | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Vrasjen në Pompë të Benzinës në Pejë

Në gjykimin e Nimon Berishës të akuzuarit për vrasjen e Isa Karagjyzit u paraqit ekspertiza nga Hidajete Muharremi prej Agjencisë Kosovare për Forenzikë.

Ekpertja tregoi në gjykatë se ekspertizën e ka bërë në bazë të mikrogjurmëve të marra nga karrigia e pasme dhe e pasagjerit në automjetin nga i cili mendohet se është qëlluar me armë Isa Karagjyzi.

Hidajete Muharremi gjithashtu në eksperizë tha se ekzaminoi një kapak të plastikës të rezervuarit të benzinës së këtij automjeti, një predhë, një gëzhojë dhe një mostër përshtyme të marrë nga i akuzuari Nimon Berisha.

Ajo bëri të ditur se nga mikrogjurmët në karriget e pasme të makinës, predha dhe gëzhoja nuk është identifikuar ADN me origjinë njerëzore.

Muharremi deklaroi se as në karrigen e pasagjerit të autmojetit “Hamer“ nuk ishte identifikuar fare material biologjik për ekzaminim.

Por ekspertja tha se nga ekzaminimi i kapakut të plastikës të rezervuarit të benzinës është fituar profili i ADN-së i të akuzuarit Nimon Berisha.

I akuzuari Berisha e mohoi këtë konstatim, duke thënë në gjykatë se makinën nga e cila akuzohet se qëlloi punonjësin e pompës Isa Karagjyzi e kanë vozitur edhe 10 persona tjerë.

Berisha tha se nuk e ka prekur asnjëherë atë kapak plastike.

Ai nga Prokuroria Themelore e Pejës akuzohet se më 31 dhjetor 2014 rreth orës 06:35 minuta, në pompën e benzinës “D-Petrol” në Pejë, me qëllim të përfitimit material me pushkë automatike, ka vrarë në mënyrë dinake tani të ndjerin Isa Karagjyzi, i cili ishte punëtor i pompës së benzinës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me automjetin e tipit “Hamer” me targa amerikane kishte shkuar në këtë pompë benzine ku e kishte mbushur rezervuarin në shumën 128 euro.

Sipas aktakuzës, pasi Nimon Berisha kishte vërejtur që Isa Karagjyzi ndodhej vetëm në pompën e benzinës, kishte nxjerrë armën automatike AK 47 dhe e kishte qëlluar në gjoks me një predhë Karagjyzin, i cili po priste që Berisha t’i bënte pagesën për karburantin.

Në aktakuzë thuhet se Karagjyzi kishte vdekur nga goditja me armë, ndërsa i akuzuari i kishhte marrë çantën e dorës në të cilën ndodeshin 2000 euro, duke ikur pastaaj në drejtim të panjohur.

Më tutje ekspertja Hidajete Muharremi tregoi edhe për dy dëshmi që ishin ekzaminuar në raportin e dytë të ekspertizës, ndërsa tregoi se në laborator nuk ka shkuar dëshmia që lidhej me ekzaminimin e timonit të makinës “Hamer” pas qitjes me armë.

Prokurori Haki Gecaj e pyeti eksperten se pse nuk kanë ardhur dëshmitë për timonin, ndërsa Hidajete Muharremi tregoi se hetuesi policor i kishte thënë të punohet fillimisht me dëshmitë që ishin dërguar dhe të shënohet në raport se mungojnë tri nga 9 dëshmitë.

Visar Vehapi, avokati i të akuzuarit Nimon Berisha tha se ekspertiza e 15 shtatorit 2017 nuk i ishte dorëzuar.

“Propozoj gjykatës që të kërkoj nga ekspertja që të mi dorëzojë raportet që lidhen me këtë lëndë të ekspertimit, sepse prokuroria nuk ka pasur arsye që këto prova të mos i dërgojë me kohë në ekspertim, e aq më tepër kur edhe në ekspertimin e dytë mungon një provë”, tha avokati Vehapi.

Vehapi shprehu dyshime pse nuk i janë dorëzuar provat.

“Kjo na krijon dyshimin se pse prokurori dhe hetuesia nuk i ka dorëzuar në kohën e duhur të gjitha, e aq më tepër se çka e shtyri Prokurorinë e Pejës që të veprojë edhe pasi kjo lëndë i ka kaluar në kompetencë Prokurorisë se Mitrovicës”, tha më tutje Vehapi.

Mbrojtësi i të pandehurit deklaroi se kishte verejtje edhe në lidhje me ekspertizën, por tha se verejtjet do t’i paraqiste kur të perfundonte në tëresi marrja në pyetje e ekspertes.

Në këtë proces gjyqëësor përpos për vrasje të rëndë, Nimon Berisha akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Gjykimi për këtë çështje kishte nisur në Gjykatën Themelore të Pejës, por me vendim të Gjykatës së Apelit më 3 mars 2017, çështja në fjalë ka kaluar në kompetencë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, duke u thyer përsëri në fillim.

Kjo kishte ndodhur për shkak se avokati i mëparshëm i të pandehurit Haxhi Çekaj, nga Prokuroria Speciale akuzohet për mashtrim.

Çekaj akuzohet se mashtroi të bijën e të akuzuarit Nimon Berisha, duke i shkaktuar dëm material në vlerën e 50 mijë eurove.

Hetime ishin bërë edhe ndaj anëtares së trupit gjykues  ku është gjykuar rasti në Pejë, gjyqtares Nushe Kukaj- Mekaj.