Gjykimi për terrorizëm | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Terrorizëm, Përsëritet Fjala Hyrëse

Në rastin e 10 të akuzuarve për terrorizëm dhe një tjetri për armëmbajtje pa leje është përsëritur fjala hyrëse pasi që në këtë çështje është ndërruar trupi gjykues.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më 7 maj 2015 ndaj Hadi Nurës, Besim Shabanit, Betim Ibrahimajt, Adil Bushit, Egzon Latifit, Jetmir Bushit, Artan Kadriut, Bekim Halilit, Zejadin Berishës dhe Jeton Hajdinit, të cilët akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, ndërsa Kujtim Bytyqi është i akuzuar për armëmbajtje pa leje.

Po ashtu, Bekim Halili e Zijadin Berisha përpos për pjesëmarrje në grupe terroriste ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje.

I akuzuari Betim Ibrahimaj, mungonte në këtë seancë ndërsa sipas Gjykatës ai ndodhet në arrati dhe Gjykata ka lëshuar fletarrest për të.

Pasi që Hadi Nura, Besim Shabani, Egzon Latifi, Jetmir Bushi, Artan Kadriu, Bekim Halili dhe Jeton Hajdini nuk e kishin pranuar fajësinë, është vazhduar prapë me fjalën hyrëse.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami, i ka qëndruar besnik fjalës hyrëse të Blerim Isufajt të dhënë në shqyrtimin gjyqësor të datës 2.11.2015.

Edhe avokatët e të akuzuarve i kanë qëndruar besnikë fjalëve hyrëse të tyre të dhënë në shqyrtimin e datës 2.11.2015, por disa nga ta edhe i kanë plotësuar ato me disa fjali.

Avokati Besnik Berisha, mbrojtës i Hadi Nurës, tha se pretendimet e Prokurorisë nuk do të vërtetohen që i mbrojturi i tij ka qenë pjesë e grupit ISIS, prandaj gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet pafajësia e tij.

Kundërshtim të aktakuzës edhe në fjalët hyrëse u paraqiten nga avokatët Bekim Sylejmani, mbrojtës i Besim Shabanit, avokatja Nexharie Hoti, mbrojtëse e Egzon Latifit, avokati Ahmet Gjinovci, mbrojtës i Artan Kadriut, avokatja Albana Kelmendi, mbrojtëse e Ziadin Berishës, si dhe avokati Muhamet Humolli, mbrojtës i Jeton Hajdinit.

Seanca e radhës u caktua në janar të vitit të ardhshëm.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë në lidhje me këtë grup.

http://kallxo.com/te-akuzuarit-per-terrorizem-nuk-heqin-dore-nga-pafajesia/

http://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-per-terrorizem-2/

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-per-terrorizem-ne-mungese-te-avokateve/

http://kallxo.com/fillon-seanca-ndaj-11-te-akuzuarve-per-terrorizem/