Gjykimi për plagosjen në lokalin "Moron" | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Plagosjen në Klubin ‘Moron’

Në janar të këtij viti, sipas aktakuzës, Shpend Osmani e Erduan Hasani pas një mosmarrëveshjeje me pronarët e klubit të natës “Moron” në Prishtinë, kishin udhëtuar drejt Mitrovicës ku e kishin marrë një armë.

Me dy makina, “të përforcuar” edhe me dy persona tjerë- Zekirja Brobaniqin e Ermal Rashicën ata ishin rikthyer te klubi i natës “Moron” për të qëruar hesapet me pronarët e klubit.

Prokuroria pretendon se nga njëra prej makinave Shpend Osmani e Erduan Hasani kishin shtënë drejt klubit të natës, duke e plagosur Mehdi Shaljanin, i cili në atë kohë po pastronte lokalin, ndërsa kishin rrezikuar edhe personat tjerë.

Më pas tash të akuzuarit ishin larguar nga vendi i ngjarjes për t’u ndaluar pastaj nga policia që u kishte gjetur një revole plastike dhe disa gëzhoja nga predhat e shkrepura.

Në gjykatë ishin të pranishëm Shpend Osmani, Zekirja Brobaniqi e Ermal Rashica, por mungoi Erduan Hasani, për të cilin u tha se ndodhej në arrati.

Pasi të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, avokatët e tyre kundërshtuan aktakuzën dhe provat në të cilat ajo bazohet.

Hasan Jashari, avokati i Shpend Osmanit kërkoi hedhjen poshtë të aktakuzës duke thënë se i mbrojturi i tij vetëm voziti makinën, nga e cila qëlloi Erduan Hasani.

Drita Sopi- Gashi, avokatja e Ermal Rashicës gjithashtu kundërshtoi aktakuzën, duke konstatuar se i mbrojturi i saj po mbahet në paraburgim, pa qenë fare në vend të ngjarjes.

Aktakuzën e kundërshtoi edhe Ndue Kurti, avokati i Zekirja Brobaniqit.

Avokatët përveç kundërshtimit të aktakuzës kërkuan edhe lirimin nga paraburgimi të të mbrojturve të tyre, por gjykata e refuzoi këtë kërkesë të mbrojtësve.

Rreth kërkesave për hedhje poshtë të aktakuzës gjykata do të vendosë në afatin më të shkurtër ligjor, ndërsa për vendimin e saj do t’i njoftojë palët.