Gjykimi për kontrabandimin me emigrantë | Foto: KALLXO.com

Gjykimi për Kontrabandim në Itali të 43 të Miturve

Lutfi Hoxhaj, Fehmi e Riza Hakaj, Selim Kryeziu, Fazli Gashi, Adem Podrimçaku, Vladan Radomiroviq, Eljver Aliji, Florin Dragjoshi dhe Agron Meçi po akuzohen nga prokuroria se kanë kryer vepra penale të ndërlidhura me krim të organizuar dhe kontrabandë me emigrantw.

Në seancë njëri nga këta të akuzuar Lutfi Hoxhaj, para se të deklarohej në lidhje me pranimin ose jo të fajësisë tha se dëshiron të lidhë marrëveshje rreth kësaj çështjeje.

“E kam kuptuar aktakuzën, nuk kam nevojë për sqarime shtesë andaj lidhur me fajësinë në shqyrtimin e sotëm fillestar nuk dëshiroj të deklarohem me qenë se dua të hy me prokurorin në negociata për pranimin e fajësisë”, tha Lutfi Hoxhaj.

I akuzuari tjetër Florin Dragjoshi tha se ndihet fajtor në lidhje me akuzat që i ngarkohen, por deklaroi se për të njëjtat akuza tashmë është dënuar në Kroaci.

“Unë e ndjej vetën fajtor, por për këtë çështje penale jam dënuar njëherë në Kroaci, mu për këtë vepër penale”, tha Dragjoshi.

Prokurori Ali Rexha tha se do të verifikojë dënimin në Kroaci të Florin Dragjoshit.

“Sa i përket Florin Dragjoshit i cili theksoi se ka qenë i dënuar për të njëjtën vepër penale në Kroaci, këtë fakt do ta verifikoj dhe më pas ta informoj gjykatën” tha prokurori Rexha.

Për dallim nga i akuzuarit Dragjoshi e Hoxhaj, njëri nga të cilët e pranoi fajësinë e tjetri kërkoi marrëveshje me prokurorinë për pranim fajësie, Arbër Osmanaj, avokati i Agron Meçit kërkoi tërheqjen nga kërkesa për negocim të pranimit të fajësisë.

“Kërkojmë që të tërhiqemi nga kërkesa për pranim të fajësisë”, tha avokati Osmanaj.

Avokatët pastaj kërkuan që të mbrojturve të tyre masa e paraburgimit t’u zëvendësohej me masë më të butë-dorëzani, ose arrest shtëpiak, por kërkesat e tilla u refuzuan nga gjykata.

“Gjykata pas marrjes së mendimit të palëve në procedurë merr aktvendim: refuzohen propozimet e mbrojtësve për ndërprerjen e masave të paraburgimit të të akuzuarve ose zëvendësimit të kësaj mase me ndonjë masë tjetër për shkak se gjykata konsideron se ende nuk kanë pushuar kushtet ligjore”, deklaroi kryetarja e trupit gjykues Nora Bllaca.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokuroria, Lutfi Hoxhaj në rolin e organizatorit ka themeluar, mbikëqyrur,  organizuar e menaxhuar dhe drejtuar veprimtarinë e grupit kriminal.

Në aktakuzë thuhej se Hoxhaj në bashkëpunim dhe koordinim të akuzuarit tjerë: Fehmi e Riza Hakaj, Selim Kryeziu, Fazli Gashi, Adem Podrimçaku, Vladan Radomiroviq, Eljver Aliji, Florin Dragjoshi, Agron Meçi dhe (Sami Hakaj, Mico Puzoviq, Saimir Kotarja dhe Mentor Dautaj të cilët gjenden në arrati), që nga fillimi I vitit 2016 e gjer më 27 tetor 2016, me dashje dhe me dijeni kanë organizuar kontrabandimin me emigrantë të shtetasve kosovarë.

Aktakuza sqaron se viktima të këtij kontrabandimi me emigrantë kanë qenë kryesisht të mitur të moshës nën 18 vjeçare dhe shtetas tjerë kosovarë që janë dërguar në shtetet e BE-së, shumica nga të cilët kanë përfunduar në qytetin Udine të Italisë.

Sipas aktakuzës,  viktimat e kontrabandimit me emigrantë janë dërguar nga Serbia në Hungari, ose nga Serbia në Kroaci, ndërsa në aktakuzë thuhet se është vërtetuar që 43 të mitur të transportuar nëpërmjet këtyre rrugëve.

Aktakuza bën me dije se nga vetë viktimat e kontrabandimit me emigrantë, apo familjarët e tyre, për dërgim në shtetet e BE-së janë dhënë nga 3 mijë deri në 3500 euro.

“Nga grupi kriminal gjatë rrugëtimit të tyre në Bashkimin Europian të miturit janë rrezikuar, gjatë kalimit të kufirit në këmbë, pasi që janë detyruar të ecin me orë të tëra natën ku janë maltretuar duke ecur në kushte të vështira atmosferike, në shi, të ftohtë, nëpër terren të papërshtatshëm”, thuhet në aktakuzë.

Në këtë proces gjyqësor, Lutfi Hoxhaj, Riza e Fehmi Hakaj, Selim Kryeziu dhe Fazli Gashi akuzohen për krim të organizuar në lidhje me kontrabandimin  me emigrantë.

Hoxhaj si organizator, themelues, mbikëqyrës dhe menaxhues i grupit kriminal ngarkohet edhe për krim të organizuar.

Kurse Adem Podrimçaku, Elvjer Aliji, Vladan Radomiroviq, Agron Meçi dhe Florin Dragjoshi akuzohen për kontrabandim me emigrantë.

Seanca në të cilën avokatët dhe të akuzuarit mund ta kundërshtojnë aktakuzën, është caktuar më 20 qershor.