Foto: Kallxo.com

Gjykimi për drogë në Gjakovë, kërkesa të ndryshme nga prokurori e avokatët

Në gjykimin e të akuzuarve për mbajtje e shitje të drogës në gjykatën e Gjakovës u dha fjala përfundimtare.

Bekim Haxhibeqiri, Donald Haxhibeqiri, Denis Lushi, Marinero Merdino, Egzon Haxhibeqiri, Fisnik Shllaku dhe Kreshnik Shllaku po akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, ndërsa Adhurim Shehu po akuzohet për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Mirëpo prokurori Ali Uka, në mungesë të provave kishte hequr dorë nga akuza ndaj Egzon Haxhibeqirit.

Prokurori Uka fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi me shkrim pranë gjykatës e njëkohësisht theksoi se aktakuza ka prova të mjaftueshme dhe se të akuzuarit duhet të dënohen sipas ligjit.

Por të gjithë avokatët e të akuzuarve fjalën e tyre përfundimtare e dorëzuan me shkrim dhe kërkuan nga gjykata që klientët e tyre të lirohen nga aktakuza e Prokurorisë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Haxhibeqiri, avokati Teki Bokshi, kërkoi nga gjykata që klienti i tij të lirohet nga akuza e Prokurorisë, me arsyetimin se nuk është vërtetuar se i njëjti ka shitur drogë.

I akuzuari Bekim Haxhibeqiri, duke e mbështetur avokatit të tij tha se është i pafajshëm.

“Unë s’jam i ktyne punëve as kurrë s’jam konë. Asnjë njeri nuk thotë që unë i kam shitur drogë”, tha ai para trupit gjykues.

Ndërsa avokati Ergjyment Barballushi, i cili mbron të akuzuarin Denis Lushi, tha se aktakuza nuk ka prova të mjaftueshme.

“Unë konsideroj se provat e nxjerra nga prokuroria dhe policia janë të papranueshme. Mmospjesëmarrja e mbrojtësve nuk është pa qëllim, kjo bëhet me qëllim për arsye se prezenca e mbrojtësve i pengon policët dhe prokurorët që të manipulojnë me deklaratat e dëshmitarëve”, tha avokati Barballushi.

Edhe avokatët e pranishëm në sallë, Idriz Daci dhe Fehmije Zhubi, duke e kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë të papranueshme, i propozuan gjykatës që të mbrojturit e tyre t’i lirojë nga aktakuza.

Ndërsa i akuzuari Adhurim Shehu tha se dhënia e ndihmës në mënyrë legale quhet humanizëm e jo siç e ka kualifikuar Prokuroria.

Ndërkaq trupi gjykues i përbërë nga kryetari Shaqir Zika bashkë me anëtarët Manduhije Syla dhe Njazi Morina, caktuan 7 majin si datë për shpalljen e aktgjykimit.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

https://kallxo.com/oferta-e-gjakovarit-per-prokurorin-te-gjej-droge-sa-te-duash/

Të gjithë para gjykatës ishin deklaruar të pafajshëm, duke i mohuar deklaratat e tyre ne Polici.

https://kallxo.com/ne-gjykimin-per-droge-deshmitaret-mohojne-deklaratat-e-tyre/

Bekim  Haxhibeqiri, Donald Haxhibeqiri, Denis Lushi, Marinero Merdino, Egzon Haxhibeqiri, Fisnik Shllaku dhe Kreshnik Shllaku, po akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

https://kallxo.com/i-akuzuari-per-droge-isha-i-dehur-gjate-deklarimit-ne-polici/

Sipas aktakuzës të akuzuarve dyshohet se u janë gjetur dy qese plastmasi me narkotikë-kokainë me peshë 0.63 gram dhe 0.41 gram, e më pas i janë gjetur dhe sekuestruar edhe 8.33 gramë narkotikë të llojit kokainë, një peshore digjitale dhe një pjatë e qelqit për përzierjen e narkotikut.

Ndërsa Adhurim Shehu po akuzohet për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shehu i ka ndihmuar familjarët e të akuzuarve, duke i kërkuar borxhet e blerësve të substancave narkotike.

Bekim Haxhibeqiri po akuzohet edhe për mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve, për të cilën vepër edhe e kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës, Bekim Haxhibeqiri pa autorizim ka mbajtur armë dhe municion të cilat janë konfiskuar nga Policia.

https://kallxo.com/deshton-gjykimi-ne-rastin-e-tete-te-akuzuarve-per-narkotike/