Gjykimi per droge - KALLXO - 08.02.2019

Në gjykimin për drogë dëshmitarët mohojnë deklaratat e tyre

Në gjykimin kundër tetë të akuzuarve, ndër këta edhe babë e bir për mbajtje e shitje të substancave narkotike, sot dëshmuan dëshmitarët L. V. dhe V. Gj..

Bekim Haxhibeqiri e Donald Haxhibeqiri babë e birë bashkë me Denis Lushi, Marinero Merdini, Egzon Haxhibeqiri, vëllezërit Fisnik Shllaku dhe Kreshnik Shllaku, po akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Ndërsa Adhurim Shehu po akuzohet për veprën penale të  dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Dëshmitari L. V., tha se Policia i kishte bërë presion gjatë marrjes së dëshmisë, duke shkruar atë çka kanë dashur ata.

“Kam fobi prej policisë, sepse dy axhallarët e mi i kanë masakruar para meje”, tha dëshmitari L. V..

Ai tha se kishte punuar në banesën e të akuzuarit Bekim Haxhibeqiri.

“Deklaratat e dhëna në Polici dhe Prokurori nuk i kam lexuar, vetëm i kam nënshkruar dhe kam ikur që të mos kem punë me ata”, tha dëshmitari L. V..

Më pas para trupit gjykues, i cili u drejtua nga kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika bashkë me gjyqtarët Manduhije Syla dhe Njazi Morina, dëshmoi edhe dëshmitari V. G.

Ai tha se prej të akuzuarve e njeh vetëm vëllezërit Fisnik dhe Kreshnik Shllakun.

“Unë për këtë rast nuk di asgjë më shumë, vetëm mbaj mend se njëherë ia kam dhënë telefonin në shfrytëzim Fisnikut për me e thirrë Donaldin”, tha dëshmitari V. G.

https://kallxo.com/oferta-e-gjakovarit-per-prokurorin-te-gjej-droge-sa-te-duash/

Në gjykimin e djeshëm dëshmuan edhe dëshmitarët D. S., A. D., A. B., R. J. dhe B. C., të cilët thanë që deklaratat e tyre në Polici nuk janë të sakta, me arsyetimin se ju është bërë presion nga policët.

Mirëpo, në seancën e djeshme prokurori Ali Uka, tha para gjykatës u tërhoq nga marrja në pyetje e dëshmitarit D. S., ndërsa gjykata bëri ndërprerjen e dëshmisë së D. S., me arsyetimin se i njëjti nuk ka gjendje të mirë shëndetësore.

Paraprakisht të gjithë avokatët e të akuzuarve kishin kërkuar nga gjykata që mos t`i merr për bazë deklaratat e dëshmitarëve në Polici, ngase të njëjtat janë marrë në kundërshtim me ligjin dhe pa prezencën e avokatëve.

Ndërsa dëshmitari D. S., kishte theksuar se prej presionit në Polici nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se atë kohë rreth para dy vitesh kishte probleme me familjen.

Ky gjykim lidhur me blerjen dhe shitjen e substancave narkotike, pritet që të vazhdoj në muajin mars 2019.

Ndërkaq, sot përfaqësuesi i aktakuzës prokurori Ali Uka, tha se heq dorë nga dëgjimi i dëshmitarëve V. M. dhe E. B., për shkak se të njëjtit gjenden jashtë shtetit.

Një seancë e këtij gjykimi kishte dështuar për shkak të mungesës së disa prej të akuzuarve.

 

https://kallxo.com/deshton-gjykimi-ne-rastin-e-tete-te-akuzuarve-per-narkotike/

 

Bekim  Haxhibeqiri, Donald Haxhibeqiri, Denis Lushi, Marinero Merdino, Egzon Haxhibeqiri, Fisnik Shllaku dhe Kreshnik Shllaku, po akuzohen nga Prokuroria e Gjakovës për veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Sipas aktakuzës të akuzuarve dyshohet se u janë gjetur dy qese plastmase me narkotikë-kokainë me peshë 0.63 gram dhe 0.41 gram, e më pas i janë gjetur dhe sekuestruar edhe 8.33 gramë narkotik të llojit kokainë, një peshore digjitale dhe një pjatë e qelqit për përzierjen e narkotikut.

Ndërsa Adhurim Shehu po akuzohet për veprën penale të  dhënies së ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Shehu i ka ndihmuar familjarët e të akuzuarve, duke i kërkuar borxhet e blerësve të substancave narkotike.

Bekim Haxhibeqiri po akuzohet edhe për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll dhe posedim të pautorizuar të armëve, për të cilën vepër edhe e kishte pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës , Bekim Haxhibeqiri pa autorizim ka mbajtur armë dhe municion të cilat janë konfiskuar nga policia.

Në korrik të 2018, mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar negociata me Prokurorinë për marrëveshje për pranim të fajësisë, por e njëjta marrëveshje nuk ishte arritur.

 

https://kallxo.com/avokatet-e-8-te-akuzuarve-per-narkotik-kerkojne-marreveshje-per-pranimin-e-fajesise/