Sallë gjykimi (Ilustrim)

Gjykimi i rojtarit të pyllit në Gjilan, një i akuzuar pranon fajësinë

Një i akuzuar ka pranuar fajësinë në Gjykatën Themelore të Gjilanit, në gjykimin ku i përfshirë është një rojtar i pyllit në Viti.

Gjykimi për dhënie dhe marrje ryshfeti ndaj dy të akuzuarve Sabri Miftari, rojtar pylli nga komuna e Vitisë, si dhe ndaj Reshat Bajrami nga Gjilani është mbajtur të mërkurën në Gjykatën e Gjilanit.

Pas leximit të akuzës nga ana e Prokurorit të shtetit Shaban Spahiu, i akuzuari Sabri Miftari u deklarua se nuk e pranon fajësinë sepse veprën për të cilën akuzohet pasi tha se nuk e ka kryer atë vepër.

Kurse i pandehuri Reshat Bajrami, pasi u pyet për pranimin e fajësisë, deklaroi se vullnetarisht e pranon fajësinë për veprën që akuzohet.

Pas pranimit të fajësisë nga Reshat Bajrami, dhe pasi që nuk pati kundërshtime nga Prokurori por as nga mbrojtësi i tij, gjyqtari i vetëm gjykues Islam Thaqi, njoftoi se aprovohet pranimi i fajësisë për të akuzuarin dhe tha se do të veçohet procedura penale tani ndaj të akuzuarit tjetër, Sabri Miftari.

Shqyrtimi më tej vazhdoi me fjalën përfundimtare për të akuzuarin Reshat Bajrami, ku prokurori i propozoi gjykatës që me rastin e caktimit të dënimit të merren parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë dhe korrektësia e tij gjatë procesit gjyqësor, ndërsa si rrethanë rënduese rrezikshmëria shoqërore e veprës penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajrami, avokati Abdylaziz Sadiku në fjalën e tij deklaroi se meqë i pandehuri e ka pranuar veprën penale, gjykata ta marrë si rrethanë lehtësuese si dhe faktin që i njëjti më parë nuk ka qenë asnjëherë i dënuar, duke e lutur gjykatën që ndaj tij ta shqiptojë një dënim të kushtëzuar.

Ndërsa i akuzuari Reshat Bajrami në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se e mbështet në tërësi fjalën e mbrojtësit të tij, dhe se ndihet i penduar thellë për veprën e kryer, duke i premtuar gjykatës se në të ardhmen nuk do të gabojë.  Bajrami në fund kërkoi që t’i shqiptohet një dënim më i butë, pasiqë është shfrytëzues i ndihmës sociale dhe mbajtës i katër fëmijëve.

Gjyqtari Islam Thaqi njoftoi se shpallja e vendimit për të pandehurin Reshat Bajrami do të bëhet më datë 10 dhjetor, ndërsa gjykimi ndaj të akuzuarit Sabri Miftari do të vazhdojë ndaras.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë në Gjilan, Sabri Miftari akuzohet se ka kryer veprën penale marrje ryshfeti sepse duke qenë zyrtar- rojtar pylli pranë Drejtoratit në Komunën e Vitisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë pasi ka kërkuar dhe pranuar për vete dhuratë përkatësisht të holla nga i pandehuri Reshat Bajrami nga Gjilani.

Aktakuza thotë se duke kërkuar dhe marrë të holla për të mos vepruar në pajtim me detyrën e tij zyrtare, i akuzuari Sabri Miftari i ka lejuar të akuzuarit tjetër Reshat Bajrami që të marrë në mënyrë kundërligjore dru në pyllin e pronës shtetërore në vitin 2013 në kohë dhe datë të papërcaktuar shumën prej 60 eurosh kurse në vitin 2014 shumën prej 100 eurosh dhe po ashtu gjatë këtij viti edhe dy herë nga 50 euro përmes Besim Ukës. Sipas akuzës, i pandehuri Sabri Miftari kishte lejuar të pandehurit Reshat Bajrami që të marrë dru në pyllin e pronës shtetërore në mënyrë kundërligjore pa pagesë”, thuhet në aktakuzë.

Kurse në pikën 2 të akuzës thuhet se, i pandehuri Reshat Bajrami akuzohet se ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit, sepse si kundër-shpërblim për të hollat që ia kishte dhënë të pandehurit Sabri Miftari, kishte marrë dru në pyllin e pronës shtetërore në mënyrë kundërligjore.

Kallxo.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast:

Gjilan – Shtyhet seanca për ryshfet