Gjykimi për rrëmbim, Gjykata ndalon publikimin e deklaratave nën pretekstin se dëmtohet reputacioni i policëve të akuzuar

Të akuzuarit për rrëmbim, zyrtarët policorë Visar Kërqeli dhe Besjan Neziri, si dhe Margona Islami, Valon Kiqina, Flamur Sopi dhe Merita Zymberi edhe sot është dashur të dalin para gjykatësit në Gjilan.

Por senca ndaj tyre dështoi të mbahet, pasi prokurori i rastit Agron Uka, për arsye familjare nuk ishte prezent në Gjykatë.

Kujtojmë se nga fillimi i këtij procesi më datë 14.07.2021, rasti kryesisht është karakterizuar me vijueshmëri të rregullt duke bërë që asnjëra nga seancat gjyqësore të mos dështonte.

Gjithashtu, trupi Gjykues i drejtuar nga gjykatësi Ramiz Azizi, pas ngritjes së aktakuzës më 09.07.2021, brenda afatit ligjor e kishte mbajtur shqyrtimin fillestar më datë 14.07.2021, pra vetëm 6 ditë pasi ishte ngritur aktakuza.

Gjithashtu, karakteristë e këtij procesi është fakti se trupi gjykues, pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit Visar Kërqeli, avokatit Hamdi Jashari, herë pas here e ka ndaluar që të bëhen publike deklaratat e të akuzuarve, me arsyetimin se “do t`u dëmtohej reputacioni i të akuzuarve”.

Procedura lidhur me këtë rast tani gjindet në fazën e marrjes në pyetje të të akuzuarve, kështu që gjykimi parashihet të mbyllet brenda këtij viti. Pra, tani që gjykimi është drejt fundit, aktakuza e ngritur në muajin korrik të këtij viti, pretendon se rrëmbimi ka ndodhur në muajin shkurt mes datave 16 dhe 17.

Andaj sipas aktit akuzues i cili bazueshmërinë e ka në nenin 191 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, denueshmëria për këtë vepër penale parashifet prej 3 deri në 12 vjet burgim dhe e njëjta , sipas Kodit Penal të Kosovës, konkretisht sipas nenit 99, nuk parashkruhet  në mënyrë relative (vjetërsohet), për 20 vjet, pra deri në vitin 2041.

Sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 shkurt 2021, rreth orës 22:00, në një vilë në komunën e Novobërdës, të akuzuarit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtur të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në atë mënyrë që të akuzuarat Margona Islami dhe Merita Zymberi, fillimisht merren vesh që të dëmtuarit t’i joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një vilë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit Visar Kërqeli, Besian Neziri dhe Valon Kiqina, ndërsa i pandehuri Flamur Sopi ka qëndruar jashtë vilës duke bërë roje.

Po sipas Prokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda vilës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, i kanë prangosur të dëmtuarit me pranga plastike, duke iu bërë video-incizime, të cilat ua kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.

Gjithashtu, të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka por edhe me kondakun e armëve.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast:

Rrëmbimi i dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut, të akuzuarit deklarohen për fajësinë