Gjykimi për rrëmbim në Gjilan, Gjykata ndalon publikimin e deklaratave të të akuzuarve

Të akuzuarit për rrëmbim, zyrtarët policor Visar Kërqeli dhe Besjan Neziri, si dhe Margona Islami, Valon Kiqina, Flamur Sopi dhe Merita Zymberi, kanë dalë para gjykatësit në Gjilan.

Në seancën e sotme u dëgjua dëshmitarja Qendresa Kiqina, e cila është bashkëshortja e të akuzuarit Valon Kiqina.

Ajo tha se natën kritike, pas mesnatës, kanë ardhur dy vëllezërit e Valonit dhe se dikush ka kontaktuar me vëllanë e madh të tij, duke i thënë se ‘ai është arrestuar’. Ajo tregoi që në Gjilan është arrestuar dhe se nuk e kanë ditur arsyen e arrestimit të Valonit në Gjilan. Tutje tha se Valoni nuk ka përmendur që ka ndonjë shok në Gjilan.

Tutje në seancë, pas fillimit të marrjes në pyetje të të akuzuarve, Gjykatësi Ramiz Azizi, e ndaloi publikimin e deklaratave të tyre për monitoruesit, me arsyetimin se do t`u dëmtohej reputacioni i tyre.

“Deklaratat e të akuzuarve nuk do të publikohen derisa të merret aktgjykimi për këtë rast. Andaj u ndalohet monitoruesve të publikojnë deklaratat e tyre dhe të bëjnë fotografi dhe video të të akuzuarve”, tha Ramiz Azizi, kryetar i trupit Gjykues.

Seanca e sotme do të vazhdohet edhe nesër.

Sipas aktakuzës, në mes datës 16 dhe 17 shkurt 2021, rreth orës 22:00, në një vilë në komunën e Novobërdës, të akuzuarit e lartshënuar, në bashkëkryerje, me dashje direkte dhe me qëllim të përfitimit material, kanë marrë dhe mbajtur të dëmtuarit Z.R. dhe A.A., në atë mënyrë që të akuzuarat Margona Islami dhe Merita Zymberi, fillimisht merren vesh që të dëmtuarit t’i joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një vilë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit Visar Kërqeli, Besian Neziri dhe Valon Kiqina, ndërsa i pandehuri Flamur Sopi ka qëndruar jashtë vilës duke bërë roje.

Po sipas Prokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda vilës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, i kanë prangosur të dëmtuarit me pranga plastike, duke iu bërë video-incizime, të cilat ua kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.

Gjithashtu, të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka por edhe me kondakun e armëve.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

Gjykimi ndaj të akuzuarve për rrëmbim, gjykata e mbyll seancën për çështje morali