Gjykatësja i kërkon gazetës ‘Kosova Sot’ 700 mijë euro dëmshpërblim

Gjyqtarja e Gjykatës së Apelit, Makifete Saliuka, tashmë është në pritje të një vendimi të gjykatës në prizren në padinë e saj ndaj gazetës së përditshme “Kosova Sot” për kompnesim dëmi.

Salikua, në padinë e saj, ka kërkuar 700 mijë euro për ta kompensuar dëmin që ajo pretendon se gazeta i ka shkaktuar në një seri shkrimesh kundër saj në vitet 2011-2012, në kohën kur ajo ishte kryetare e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë.

“Kompensim dëmi moral – jomaterial për shpifje dhe fyerje përgjatë vitit 2011-2012”, thuhet në padinë e gjyqtares Saliuka.

Në seancën e fundit në këtë kontest u paraqitën 2 ekspertët të cilët kanë përpiluar raporte për gjendjen dhe dëmin që i është shkaktuar paditëses Makifete Saliuka.

Eksperti i psikologjisë Dr. Latif Hoxha dhe eksperti i psikiatrisë Dr. Naim Fanaj, thanë që të njëjtit pas intervistimit të paditëses, kanë përpiluar raportet e tyre.

Në këto raporte ata kanë paraqitur gjendjen emocionale të paditëses dhe kanë dhënë vlerësimin për dëmin jo–material që paditësja Saliuka pretendon se i ka shkaktuar gazeta “Kosova Sot”.

Përfaqësuesi i Saliukës, avokati Selim Nikçi, nuk kishte vërejtje në këto ekspertiza dhe nuk pati pyetje shtesë.

Kjo seancë ashtu si seancat e kaluara u mbajt pa prezencën e palës së paditur “Kosova Sot”, pasi që asnjë përfaqësues nuk po paraqitet në cilësi të palës së paditur, përkundër faktit që gjyqtari Atdhe Berisha në forma të ndryshme ka tentuar të sigurojë praninë e të paditurës.

Në këtë seancë të fundit, avokati Nikçi paraqiti edhe fjalën përfundimtare ku kërkoi aprovimin e padisë në tërësi, dhe kërkoi nga gjykata që gazetën e paditur ta detyrojë që të paguajë për dëmin e shkaktuar gjyqtares Makifete Saliuka.

Gjyqtari i rastit Atdhe Berisha pasi që e mbylli seancën njoftoi se Saliuka dhe avokati i saj do të njoftohen me vendimin e Gjykatës në formë të shkruar.

Paditësja Makifete Saliuka pretendon se fushata e “Kosova Sot” ndaj saj ka qenë e drejtuar nga pronari Ruzhdi Kadriu dhe e bija e tij Margarita Kadriu, e cila është edhe kryeredaktore e gazetës.

Saliuka në padinë e saj thotë se gazeta Kosova Sot përmes gazetarëve të saj “në vazhdimësi për 3 vite ka bërë shpifje, fyerje dhe kërcënime ndaj saj dhe familjes së saj, me çka ka ushtruar dhunë psikike, por edhe presion në punën e saj si gjyqtare për edhe si ushtruese detyre e kryetares së Gjykatës”.

Sipas padisë, krejt kjo është bërë “me qëllim të hakmarrjes duke i sulmuar vrazhdë Saliukës nderin, autoritetin, dinjitetin me poshtërim të vazhdueshëm më të dhëna absolutisht të pavërteta duke cenuar edhe privatësinë dhe sigurinë fizike të saj dhe familjes së saj.

Sipas paditëses e gjithë kjo me qëllim për t’ju hakmarrë sepse Saliuka në kohën sa ishte gjyqtare ka gjykuar lëndën civile, sipas padisë së paditësit Lulzim Rexha nga Prekazi, e cili kishte paditur gazetën “Kosova Sot” për kompensim dëmi të cilin e ka kërkuar Lulzim Rexha.

Si ish-punëtor i gazetës, Lulzim Rexha kishte paditur gazetën “Kosova Sot”, për humbjen e krahut të djathtë deri në nivelin e nën-bërrylit si pasojë e lëndimit në vendin e punës.

Paditësja Saliuka në padinë e saj thekson se me aktgjykimin e datës 2006 me të cilin i është aprovuar pjesërisht padia e Lulzim Rexhës, e pas ankesave të palës, edhe dy instancat më të larta atëherë Gjykata e Qarkut, dhe Gjykata Supreme nuk kanë konstatuar as më të voglën shkelje procedurale nga gjyqtarja e atij rasti, respektivisht gjyqtarja Makifete Saliuka.

Lidhur me këto paditësja si prova i ka dorëzuar Gjykatës të tre aktgjykimet e rastit, atë të Gjykatës Komunale, të Gjykatës së Qarkut dhe të Gjykatës Supreme.

Më tutje në padi Makifete Saliuka ka sqaruar se përveç shkrimeve gazeta e paditur kundër saj ka paraqitur kallëzime penale të rreme kinse “për marrjen e vendimit të kundërligjshëm me qëllim përfitimi për vete apo të tjerët”, pastaj akuzë private “për shpërdorim të detyrës zyrtare”, të cilat, siç thuhet në padi, janë hedhur poshtë. Në padi janë bashkangjitur edhe aktvendimet e Prokurorisë Publike e të Gjykatës së Qarkut në Prizren.