Ibrahim Berisha, prokuror

Gjykata rrëzoi padinë zv/kryeprokurorit të Prishtinës ndaj Këshillit Prokurorial

Gjykata e Prishtinës ka marrë vendim që të refuzohet si e pabazuar padia e zëvendës kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Ibrahim Berisha.

Kjo padi ishte paraqitur më 26 qershor të këtij viti kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës me kërkesë për anulimin e vendimit të datës 7 qershor, ku prokurori Kujtim Munishi është caktuar ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prishtinës.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, gjykata ka gjetur se paditësi në këtë rast prokurori Ibrahim Berisha me asnjë provë nuk e ka bërë të besueshme pretendimin e tij se shtyrja e ekzekutimit të vendimit të cilin e kërkon nuk është në kundërshtim me interesin publik.

Berisha kishte kërkuar që të bëhet shtyrja e ekzekutimit të vendimit për detyrën e U.D. Kryeprokurorit Munishi.

KALLXO.com kishte raportuar se prokurori Ibrahim Berisha, njëherit zëvendës kryeprokuror në Prokurorinë e Prishtinës, ka ushtruar padi ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Berisha për KALLXO.com ka thënë se arsyeja se pse e ka paditur KPK-në është për shkak se sipas tij KPK-ja në mënyrë të paligjshme e ka emëruar prokurorin Kujtim Munishi si ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Prishtinës.

Munishi është emëruar në këtë pozitë pas pensionimit të Kryeprokurorit Imer Beka.

https://kallxo.com/zevendes-kryeprokurori-i-prishtines-e-padit-keshillin-prokurorial/

.