Pamje nga një seancë e gjykimit të rastit të vrasjes në lokalin “Bon Vivant” – Foto: KALLXO.com

Gjykata nuk vendos për vrasjen në ‘Bon Vivant’

Në ditën kur parashihej të shpallej aktgjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen në “ Bon Vivant”, Gjykata Themelore në Prishtinë e rihapi shqyrtimin gjyqësor në procedurën e provave.

Trupi gjykues i kryesuar nga Suzana Çerkini tha se shqyrtimi gjyqësor do të rihapet për marrjen e një prove që ka të bëjë me gjurmët e gishtërinjve në armë. Anëtarë të trupit gjykues janë Shpresa Hyseni e Arben Hoti.

“Rihapet shqyrtimi gjyqësor për shkak të vërtetimit të një prove në lidhje me ekzaminimin e vijave papilare të gishtërinjve të marra nga arma në mënyrë që të vërtetohet gjendja faktike”, tha kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini.

Viktimë e kësaj vrasje në lokalin “Bon Vivant “, ishte roja e atij lokali, Rrahman Uka.

Për vrasjen e tij po gjykohen Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.

Prokurore e këtij rasti është Ferdane Sylejmani.

KALLXO.com ka shkruar vazhdimisht për procesin gjyqësor rreth vrasjes në “Bon Vivant”.