Gjykata merr vendim për Andi Pajazitin, i dyshuar për vrasjen në ‘Bon Vivant’

Gjykata Themelore e Prishtinë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë, Andi Pajazitit, i dyshuar për rastin e vrasjes së 4 gushtit në ‘Bon Vivant’.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Fanol Krasniqi, avokati të dyshuarit Andi Pajaziti.

Gjykata e Apelit, me17 gusht 2023, kishte njoftuar se ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve, Andi Pajaziti, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti për vrasjen e 4 gushtit në Bon Vivant.

Apeli kishte vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore të datës 6 gusht 2023, me të cilin ishte caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe tashmë i ndjeri Kastriot Ramadani, së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit gjendeshin në lokalin “Bon Vivant”.

Policia e Kosovës ka njoftuar më 11 gusht se ka shpallur në kërkim Dukagjin Nikollajn, nën dyshimin se ai ka kryer katër vepra të ndryshme penale dhe se i njëjti dyshohet se ishte i përfshirë edhe në rastin e ‘Bon Vivant’. I njëjti ende gjendet në kërkim.

Dosja e Prokurorisë shpjegon momentin kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.

Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit. Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili edhe kishte ndërruar jetë në QKUK.
13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Andi Pajaziti, sipas Prokurorisë po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

Vepër penale e cila sipas Kodit Penal të Kosovës është e dënueshme me jo më pak se 10 vite dënim me burgim ose me dënim me burgim të përjetshëm.

Pajaziti sipas Prokurorisë dyshohet edhe për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit Pajaziti del të jetë recidivist i shumë veprave penale.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.