Prokuroria ndalon edhe një person lidhur me vrasjen në 'Bon Vivant'

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka urdhëruar ndalimin e personit N. Ll., lidhur me rastin e ndodhur në “Bon Vivant”.

Këtë për KALLXO.com, e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, e cila theksoi se i dyshuari N. Ll., dyshohet për veprën penale – Dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale.

E njëjta theksoi se personi N. Ll., pas grumbullimit të provave të reja nga prokuroria, po dyshohet se ka ndihmuar në arratisje Dukagjin Nikollajn.

Policia e Kosovës ka njoftuar më 11 gusht se ka shpallur në kërkim Dukagjin Nikollajn, nën dyshimin se ai ka kryer katër vepra të ndryshme penale dhe se i njëjti dyshohet se ishte i përfshirë edhe në rastin e “Bon Vivant”. Policia ende nuk ka arritur ta kap të dyshuarin Nikollaj.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Andi Pajaziti, Gëzim Zakuti, Dukagjin Nikollaj dhe i ndjeri Kastriot Ramadani, së bashku me një person ende të paidentifikuar rreth orës 23:17 të 4 gushtit gjendeshin në lokalin “Bon Vivant”.

Ndryshe, më 29 gusht 2023, pas kërkesës së prokurorisë, masa e paraburgimit, i është ndërprerë Gëzim Zakutit dhe Hisni Gecajt të cilët dyshohen të kenë marrë pjesë në rrahje, ndërsa Gecaj dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Këtë për KALLXO e kishte konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Dosja e Prokurorisë shpjegon momentin kur palët nxorën armët e zjarrit dhe filluan të gjuajnë në njëri-tjetrin.

Fillimisht Kastriot Ramadani me të vërejtur se në lokal kishin hyrë Andi Pajaziti e Gëzim Zakuti nxjerr armën e zjarrit nga brezi, e njëjtë kishte vepruar edhe Dukagjin Nikollaj, i cili nxjerr armën nga një çantë që e mbante me vete, ku për një moment fillojnë të përleshen fizikisht Pajaziti me të pandehurin Nikollaj.

Tutje, sipas dosjes së Prokurorisë, Kastriot Ramadani më një shishe qelqi godet në kokë disa herë të pandehurin Andi Pajaziti, e ky i fundit me armë zjarri shkrep në drejtim të Kastriot Ramadanit. Edhe Kastriot Ramadani kundërpërgjigjet më armë të zjarrit, por nuk është i vetmi, pasi që edhe Nikollaj gjuan me armë zjarri në drejtim të Pajazitit.

Veprime këto që sipas Prokurorisë kanë rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.

Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili edhe kishte ndërruar jetë në QKUK.

Gecaj në përshikrimin e dosjes të Prokurorisë rezulton të jetë pjesëtar i FSK-së.

Gecaj në tërë këtë ngjarje kishte mbajtur në posedim një thikë duke veprar në kundërshtim me ligjin. 13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.