Foto: Kallxo.com

Gjykata liroi zyrtarin e ATK-së, që u përlesh me policinë gjatë aksionit në veri të Mitrovicës

Gjykata e Mitrovicës ka liruar zyrtarin e ATK-së, në Mitrovicë Marko Milovanoviç, i cili ishte arrestuar dy ditë më parë për shkak se kishte tentuar ta pengonte aksionin e Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.

Ai dyshohet se së bashku me pesë personat e tjerë P.M., D.D., T.M., I.M. dhe M.O., kishin ndërmarrë veprime për ta pamundësuar lëvizjen e Policisë së Kosovës në fshatin Varagë të Zubin Potokut.

Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, Marko Milovanoviç dhe të tjerët kishin përdorur edhe forcën fizike duke vendosur në rrugë mjete të ndryshme si kamionë, drunj, goma për t`ua pamundësuar zyrtarëve policore kryerjen e detyrave dhe zbatimin e planit operativ të kapjes së kontrabandistëve të dyshuar.

KALLXO.com, pati kontaktuar me drejtorin e ATK-së, në Mitrovicë Besim Halilin, për ta pyetur nëse Marko Milovanoviç ishte lajmëruar në punë gjatë asaj dite.

Drejtori kishte deklaruar për KALLXO.com, se Marko nuk ka qenë në detyrë edhe pse nuk e ka pasur pushim.

“Po, Marko punon në ATK, sot nuk ka qenë në detyrë, nuk e ka pasë pushim por ai e di ku ka qenë, ai e di ku rri, pushim nuk e ka pasë”, pati deklaruar drejtori Halili.

Dje Prokuroria e Mitrovicës, ka kërkuar paraburgimin ndaj 6 personave të dyshuar për pengim të detyrës së policive në Zubin Potok.

https://kallxo.com/aksioni-ne-veri-prokuroria-kerkon-paraburgim-per-6-te-ndaluarit/

.