Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Gjykata konstaton të tërhequr padinë e PTK-së për kthimin e borxhit

Gjykata Themelore në Mitrovicë departamenti civil e ka konstatuar të tërhequr  padinë e ushtruar nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), ndaj të paditurit V. Sadiku.

PTK-ja, më 23 janar 2007, ka paditur V. Sadikun për kthim të borxhit në shumën prej 179.50 euro.

Mirëpo pas pranimit të ftesës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës për shqyrtimin e padisë në fjalë, PTK-ja, më 2 tetor të këtij viti kishte dërguar një parashtresë në gjykatë me anë të së cilës ka njoftuar se tërhiqet nga padia dhe kërkesëpadia në fjalë.

Në parashtresën e dërguar në gjykatë thuhej se ndaj të paditurit në këtë rast V. Sadiku,  janë plotësuar kushtet për faljen e borxhit në pajtim me “Ligjin për faljen borxheve publike”, andaj ashtu siç ceket në parashtresë, me qëllim të ekonomizimit të procedurës dhe shmangies së shpenzimeve të panevojshme, pala paditëse tërhiqet nga kjo padi.

Në këto rrethana gjykatësi Naim Meholli, njoftoi të paditurin Sadiku, se padia ndaj tij është tërhequr, duke shtuar se për këtë do të përpiloj aktvendim të veçantë.

Meholli po ashtu bëri të ditur se kundër këtij aktvendimi nuk lejohet e drejta në ankesë.