Anton Jupa. Foto: Kallxo.com

Gjykata ia ndërpret paraburgimin të arrestuarit për mishin e importuar nga Belgjika

Gjykata Themelore ne Prizren i ka ndërprerë masën e paraburgimit Anton Jupes i cili ishte arrestuar në lidhje aferën e mishit të importuar nga Belgjika, muajin e kaluar.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj.

Ndaj Jupës është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria në Prizren tha se ekziston dyshimi i bazuar që Jupa ka importuar nga Belgjika mish gjedhi me afat të skaduar në sasinë 19,657 kilogramë të cilin, sipas prokurorisë ka tentuar ta shesë në terminalin doganor në Prizren më 12 shtator 2017, edhe pse e ka ditur se është i dëmshëm për njerëzit.

Në kërkesën e prokurorisë për paraburgim, prokuroria konstaton se edhe në depon e “Euro Idës”, kompanisë së Anton Jupës më 20 mars 2018 janë gjetur 1800 kilogramë mish pule me afat të skaduar për të cilat gjithashtu thuhet se Jupa e ka ditur se janë të dëmshme, ndërsa ka tentuar t’i shesë.

Sipas prokurorisë, Jupa po të hidhte në treg këto produkte do të kishte për të kryer veprën penale prodhim dhe vënie në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimorë.

Prokuroria më tutje në kërkesën për paraburgim pretendon se po të ndodhet Jupa në liri do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë, ose falsifikojë provat e veprës penale dhe do të pengojë procedurën duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuar, ose bashkëpjesëmarrës.

Gjithashtu organi i ndjekjes thotë se Jupa mund të arratiset po të ndodhet në liri, duke pamundësuar zhvillimin e rregullt të procedurës.

http://kallxo.com/ja-per-cfare-dyshohet-biznesmeni-anton-jupa-dokument/

Në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Jupës të zhvilluar në Gjykatën e Prizrenit, prokurori i shtetit kërkesën për paraburgim e plotësoi edhe me dyshimin se Jupa ka kryer veprën e kanosjes ndaj gazetarëve të portalit Insajderi.

Duke kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për paraburgim, Meshari Selimaj, avokati i Anton Jupës e konsideroi viktimë e jo të pandehur të mbrojturin e tij.

“Po të kishte prokurori të mirëfilltë i pandehuri Anton Jupa nuk do ta kishte statusin e të pandehurit në këtë karrige, por statusin e një të dëmtuari, një viktime për të cilën vetë kjo prokurori e këtij shteti do e mbronte personalitetin dhe punën e tij”, tha avokati Selimaj.

Avokati mohoi se i mbrojturi prej tij është arratisur dhe i është fshehur drejtësisë.

Selimaj konstatoi se gjithë aktiviteti tregtar i të mbrojturit të tij është publik dhe legal, duke mohuar se Jupa do të mund të nxirrte në treg ushqime të dëmshme.

Avokati më tutje kishte thënë se klienti i tij kurrë nuk ka qenë i dënuar.

Pak para se të arrestohej muajin e kaluar, Jupa kishte dhënë intervistë për KALLXO.com.

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’