Anton Jupa. Foto: Kallxo.com

Skandali mishit nga Belgjika, dështon seanca ndaj të akuzuarit Anton Jupa

Seanca gjyqësore ndaj Anton Jupës, i akuzuar për në rastin e skandalit të mishit të prishur, i importuar nga Belgjika ka dështuar të mbahej sot në Gjykatë e Prizrenit.

Anton Jupa si person përgjegjës në biznesin NTP “Euro Ida” me seli në Rahovec, akuzohet se ka importuar nga Belgjika mish gjedhi me afat të skaduar të përdorimit.

Me këto veprime, Jupa akuzohet se kreu veprën penale të prodhimit dhe vënies në qarkullim të artikujve të dëmshëm ushqimor.

Me 22 shkurt Anton Jupa para gjykatës kishte deklaruar  i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë së Prizrenit.

Seancat e datës 10 dhe 11 korrik kanë dështuar të mbahen, sepse gjyqtarja e rastit Teuta Krusha ishte e angazhuar si anëtare e trupit gjykues në një gjykim në Krime të Rënda, gjykim për vrasjen e vitit 2014 në lagjen Arbanë të Prizrenit.

Në këto dy seanca ishte e paraparë të dëgjoheshin dy dëshmitarë, respektivisht inspektorë të Agjencisë të Ushqimit dhe Veterinarisë.

Me 2 shtator pritet të vazhdojë gjykimi ndaj të akuzuarit Anton Jupa.

Anton Jupa në deklaratat e tij në prokurori kishte thënë se  kompania e tij në vitin 2015 është marrë me përpunimin e mishit ku kryesisht kanë prodhuar suxhuk industrial, përshutë dhe mish të terur, ndërsa pas vitit 2015 kompania nuk është marrë me përpunim e as me prodhim.

Jupa kishte deklaruar se gjatë periudhës 2016 kompanitë për përpunim qebapësh, suxhuku e dynerësh nga Drenasi, Lipjani e Vushtrria kishin blerë sasi të mishit.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë çështje mund t’i gjeni në këtë link.