Gjykata e Apelit Refuzon Kërkesën e Ivanoviqit

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Gjykatës së Apelit, Tonka Berishaj, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e avokatëve të Oliver Ivanoviqit dhe katër të akuzuarve tjerë  për përjashtimin e gjyqtarit Driton Muharremi nga çështja penale PAKR.299/2016.

Mbrojtja e të akuzuarve kishte kërkuar në seancën e mbajtur më 28 shtator që gjyqtari i Gjykatës së Apelit, Driton Muharremi të përjashtohej nga kolegji, duke vënë në dyshim paanësinë e tij dhe duke thënë se nuk u besojnë gjyqtarëve shqiptarë.

Në aktvendimin e Berishajt thuhet se nuk janë përmbushur kushtet ligjore të përcaktuara me Kodin e Procedurës për përjashtimin e Muharremit.

“Nuk ekzistojnë arsye ligjore nga neni 39.1.1 të Kodit të Procedurës Penale për përjashtimin e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, ngase kjo dispozitë në mënyrë shprehimore thotë se: “Gjyqtari përjashtohet nga ushtrimi i funksionit të gjyqtarit në rast se është i dëmtuar nga vepra penale”. Në rastin konkret gjyqtari në fjalë nuk është i dëmtuar nga vepra penale e të pandehurit”, thuhet në aktvendim.

Gjithashtu më tej në këtë aktvendim thuhet se nuk ka asnjë rrethanë që vë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit Muharremi.

“Nuk ekzistojnë rrethana që vënë në dyshim paanshmërinë e gjyqtarit sikurse përcakton neni 39.3 i KPP-së, e këtë e cekin edhe parashtruesit e kërkesës të cilët në shkresat e tyre kanë deklaruar se nuk dyshojnë në dinjitetin, ndershmërinë, profesionalizimin dhe paanshmërinë e gjyqtarit Muharremi”, thuhet në aktvendimin e ushtrueses së detyrës të kryetares së Apelit.

http://kallxo.com/oliver-ivanoviqi-ne-gjykaten-e-apelit/

Seanca e Gjykatës së Apelit në rastin e Oliver Ivanoviqit do të mbahet ditën e nesërme në Pallatin e Drejtësisë.

Oliver Ivanoviq u dënua me nëntë vjet burg më 21 janar të këtij viti për krime lufte të kryera ndaj shqiptarëve.

http://kallxo.com/sot-vendimi-per-oliver-ivanoviqin/

Ai akuzohej ka urdhëruar vrasjen e shqiptarëve etnikë në Mitrovicë më 14 prill 1999 gjatë bombardimeve të NATO-s, kur supozohet se ishte lider i një njësie paraushtarake.

Ivanoviq akuzohej gjithashtu bashkë me Dragolub Delibashiqin për nxitje të vrasjes së shqiptarëve etnikë gjatë trazirave që shpërthyen pas luftës më 3 shkurt 2000, kur shumë shqiptarë u dëbuan nga shtëpitë e tyre.

Aleksandar Lazoviq dhe babë e bir, Ilija dhe Nebojsha Vujaçiq, ngarkoheshin me akuza për vrasje ose tentativë për vrasje.

Më 21 janar Ivanoviq ishte liruar nga akuza për nxitje në vrasje të rëndë, ndërsa të pafajshëm qenë shpallur edhe Dragolub Delibashiq, Aleksandër Lazoviq dhe Ilija e Nebojsha Vujaçiq.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për gjykimin e Ivanoviqit dhe të akuzuarve të tjerë dhe raportet mund t’i gjeni këtu.