KGJK konfirmon dorëheqjen e Driton Muharremit

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka konfirmuar dorëheqjen e parevokueshme të gjykatësit Driton Muharremi.

“KGJK do ta procedojë tek Presidenti i Republikës për lirim nga detyra”, thuhet në përgjigjen e KGJK për KALLXO.com.

Driton Muharremi ka dhënë dorëheqje pasi Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka marrë vendim për transferimin e përkohshëm të tij nga Gjykata e Apelit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti i Përgjithshëm.

Kjo është bërë e ditur përmes burimeve të KALLXO.com.

KGJK vendimin e kishte marrë pasi gjykatësin Muharremi e ka gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore.

Zhvillimi i procedurës disiplinore është bërë pas kërkesës së autoritetit kompetent.

“Autoriteti kompetent, kërkesës së lartcekur i ka bashkangjitur edhe incizimet e bisedave telefonike të publikuara më datë 4 gusht 2021, në gazeta dhe portale të vendit, në bazë të së cilave incizime është i përfshirë edhe gjyqtari Muharremi, më ç’rast ka kërkuar inicimin e hetimit disiplinor”, thuhet në vendimin e KGJK-së.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj gjyqtarin Driton Muharremi por i njëjti deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka qenë i qasshëm.

Sipas vendimit të KGJK-së, gjykatësi Muharremi ka rënë në kundërshtim me ligjin për procedurën disiplinore, më saktësisht me nenin lidhur me shkeljet e detyrat zyrtare si gjyqtar, pastaj me nenin që përcakton se ka ndërhyrë në veprimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë me qellim të ndikimit.

Po ashtu ai ka rënë ndesh me një pikë tjetër të këtij ligji.

Përfshihet në shkelje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit”, thuhet në këtë pikë të nenit.

Ndërsa KGJK në një përgjigje për KALLXO.com ka deklaruar se nuk mund te jap informacion për këtë çështje.

“Lidhur me pyetjen e juaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës i Kosovës (KGJK), nuk mund të jep informacione për raste disiplinore përderisa nuk kemi vendim të formës së prerë”, thuhet në përgjigjen tyre për KALLXO.com.

Media online “Shqip.com” kishte publikuar pjesë me audioincizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në to përmenden edhe dy mediume për të cilat tashmë ish-shefi i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, së bashku me një bashkëbisedues pretendojnë t’i blejnë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazhe.

Në këto audioincizime po pretendohet kapja mediave, zgjidhja e lëndëve në prokurori e gjykatë, si dhe ushtrimi apo ndikimi në lëndën e një personi të cilit ia kishin konfiskuar veturën.

Në audioinicizimet e publikuara, pretendohet të jetë i përfshirë edhe gjyqtari Driton Muharremi.

Gjyqtari Muharremi ka drejtë ankesë në gjykatën supreme ndaj këtij vendimi të KGJK-së.