Dorëheqja e gjykatësit Muharremi erdhi pas refuzimit të ankesës së tij nga Supremja

Dorëheqja e gjykatësit Muharremi ka ardhur pasi Gjykata Supreme e ka refuzuar ankesën e tij ndaj vendimit lidhur me degradimin e tij nga Gjykata e Apelit në Gjykatën e Prishtinës.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, D. M., të ushtruar kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për shkak të shqiptimit të masës disiplinore”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Kolegji i Gjykatës ka vlerësuar se qëndrimi dhe përfundimi juridik i KGJK-së, është i drejtë dhe i ligjshëm, dhe se masa disiplinore e shqiptuar është proporcionale me shkeljen e konsumuar.

Ky vendim i Supremes ka ardh pasi Muharremi e kishte apeluar vendimin e KGJK për degradim.

KGJK vendimin e kishte marrë pasi gjykatësin Muharremi e ka gjetur përgjegjës për shkelje disiplinore.

Zhvillimi i procedurës disiplinore është bërë pas kërkesës së autoritetit kompetent.

“Autoriteti kompetent, kërkesës së lartcekur i ka bashkangjitur edhe incizimet e bisedave telefonike të publikuara më datë 4 gusht 2021, në gazeta dhe portale të vendit, në bazë të së cilave incizime është i përfshirë edhe gjyqtari Muharremi, më ç’rast ka kërkuar inicimin e hetimit disiplinor”, thuhet në vendimin e KGJK-së.

Sipas vendimit të KGJK-së, gjykatësi Muharremi ka rënë në kundërshtim me ligjin për procedurën disiplinore, më saktësisht me nenin lidhur me shkeljet e detyrat zyrtare si gjyqtar, pastaj me nenin që përcakton se ka ndërhyrë në veprimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë me qellim të ndikimit.

Po ashtu ai ka rënë ndesh me një pikë tjetër të këtij ligji.

Përfshihet në shkelje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtojnë besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit”, thuhet në këtë pikë të nenit.

Media online “Shqip.com” kishte publikuar pjesë me audioincizime të cilat pretendohet se janë përgjime të vitit të kaluar ndërsa në to përmenden edhe dy mediume për të cilat tashmë ish-shefi i Inteligjencës Financiare Dardan Nuhiu, së bashku me një bashkëbisedues pretendojnë t’i blejnë për t’i shfrytëzuar më pas për shantazhe.

Në këto audioincizime po pretendohet kapja mediave, zgjidhja e lëndëve në prokurori e gjykatë, si dhe ushtrimi apo ndikimi në lëndën e një personi të cilit ia kishin konfiskuar veturën.

Në audioinicizimet e publikuara, pretendohet të jetë i përfshirë edhe gjyqtari Driton Muharremi.

 

Jep dorëheqje gjykatësi Driton Muharremi