Gjermania Jep 20 Milionë Euro për Kosovën

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria Federale e Gjermanisë nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim teknik për disa projekte që janë në proces të realizimit.

Nënshkrimi i marrëveshjes është bërë nga Ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe zëvendës ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Christina Gehlsen.

Ministri Hoti, tha se kjo marrëveshje do ta fuqizojë edhe më tutje bashkëpunimin që këto dy qeveri i kanë ndër vite.

“Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë përbën njërin ndër partnerin kryesor që po e mbështet Kosovën përmes asistencës financiar dhe teknike në shumë sektor me rëndësi jetike për vendin. Mbështetja e vazhdueshme e partnerëve strategjikë, siç është shteti gjerman, po e mundësojnë zhvillimin e mëtutjeshëm të shtetit të Kosovës”, tha ministri Hoti.

Sipas tij, vlera e mbështetjes financiare dhe teknike e Qeverisë Gjermane që nga viti 1999 deri në vitin 2015 ka arritur në 480 milionë euro, të përdorura për implementimin e projekteve të ndryshme.

Ai gjithashtu bëri të ditur se projektet e mbështetura nga kjo marrëveshje do të fuqizojnë edhe më tutje kapacitetet e organeve institucionale në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ndërsa, zëvendës ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Christina Gehlsen, u shpreh se shteti gjerman vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejtë BE-së dhe për një qeveri llogaridhënëse.

“Ne po nënshkruajmë sot marrëveshjet për projektet e bashkëpunimit teknik në shumën prej mbi 20 milionë euro. Në fokus janë vënë sfidat më të rëndësishme për Kosovën me qëllim të ngritjes së një ekonomie private aktive dhe një administrate të përgjegjshme, si dhe arritjes së punësimit të njerëzve”, shtoi Gehlsen.

Vlera totale e kësaj marrëveshje është 20 milionë euro dhe do të shfrytëzohet për financimin e projekteve në këshillimin në fushën e reformave juridike, reformat në sistemin publik të financave, ndërtimin e kapaciteteve në sektorin e arsimimit fillor, mbështetjen e punësimit të të rinjve dhe integrimi i tyre në tregun e punës, fondin e studimeve dhe të specialistëve, ngritjen e shërbimeve të qëndrueshme lokale, veçanërisht menaxhimi i mbeturinave, menaxhimin e tokës dhe efiçiencën energjetike në shfrytëzimin e ngrohjes diellore.