Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri | Foto: Atdhe Mulla

Gazmend Muhaxheri Shkarkon dy Drejtorë të PDK-së

Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shkarkuar sot dy drejtorë të kabinetit të tij që vijnë nga partneri i koalicionit qeverisës lokal, PDK.

Ukë Selimaj, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Salih Lajçi, drejtor për Urbanizëm, nuk do të jenë më në kabinetin drejtues komunal.

Lajmi për shkarkimin e dy drejtorëve është konfirmuar nga drejtori komunal për Financa, Jeton Abazaj.

Ende nuk dihet se kush do t’i zëvendësojë Selimajn dhe Lajçin dhe cili do të jetë fati i dy drejtorëve tjerë të PDK-së në kabinetin qeverisës të Pejës.

Ata janë shkarkuar pak orë pasi që Muhaxheri që vjen nga LDK, kishte paralajmëruar prishje të koalicionit qeverisës me PDK-në për shkak se asamblistët e kësaj partie votuan kundër rishikimit të buxhetit të komunës.

Por duke iu përgjigjur paralajmërimeve për prishje të koalicionit, Muhamet Haliti i PDK-së kishte thënë se kjo parti “nuk bëhet patericë e askujt”.