Gazetarët Bojkotojnë Kuvendin, Kërkojnë Shpjegim nga Kadri Veseli

Gazetarët që po e përcjellin kryesinë e Kuvendit nuk janë lejuar sot të qëndrojnë as në holl të katit ku po zhvillohej ajo mbledhje.

Si pasojë, ata nuk kanë mundur të raportojnë me kohë për hedhjen e gazit lotsjellës gjatë seancës së Kuvendit.

Duke qenë në situatë të vështirë, ata kanë lënë aparaturën e tyre në dysheme të ndërtesës dhe kanë vendosur ta bojkotojnë përcjelljen e ngjarjes ndër më të rëndësishmet politike të muajve të fundit kur kryesia e Kuvendit të vendosë për dërgimin në seancë të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Kur e ka parë reagimin e gazetarëve, kabineti i kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli ka ndërhyrë për t’i bindur gazetarët që t’i japin fund bojkotit.

Këshilltari Avni Bytyçi i ka ftuar gazetarët që të shkojnë ta përcjellin takimin, por gazetarët po refuzojnë të shkojnë pa e marrë një sqarim nga vetë Veseli për vendimin që ata të mos lejohen të qëndrojnë para sallës ku po mbahej mbledhja e kryesisë.

Për këtë situatë ka reaguar edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj.

“Pjesëtarët e sigurimit ua kanë pamundësuar gazetarëve lëvizjen nëpër hapësirat e kuvendit gjë që paraqet problem serioz për gazetarët në informimin e drejt të qytetarëve. Zhvillimet politike, çfarëdo qofshin ato nuk bënë të shtyjnë asnjë institucion që t’i bllokojë gazetarët në kryerjen e punëve të tyre”, ka thënë Hysenaj.