Avni Bytyçi

PDK: Ftesa e Hotit ishte improvizim

Avni Bytyçi, zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës ka sqaruar pse kjo parti nuk mori pjesë në ‘forumin e partive politike’, të ftuar nga kryeministri, Avdullah Hoti.

Sipas Bytyçit, Qeveria Hoti ka shfaqur amatorizëm të skajshëm sa i përket politikës së jashtme dhe dialogut.

“Nuk mund të shkosh në Bruksel për dialog, i papërgatitur, pa plan e pa mbështetje të gjerë të spektrit politik, e pastaj të kthehesh në Kosovë për të organizuar kinse një forum të liderëve për këtë çështje. Është shumë shqetësuese që ftesat e kryeministrit Hoti vazhdojnë të mbesin në nivel të ftesave të studiove televizive”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, PDK sot nuk mori pjesë në takimin e ftuar nga Hoti për tri arsye.

“Ka munguar ftesa zyrtare nga kryeministri Hoti që qartëson formatin dhe qëllimin e këtij takimi. Takimet e tilla duhet mbahen gjithmonë në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës, aty edhe ku e kanë vendin partitë politike parlamentare”, tha ai.

“Takimet e tilla nuk duhet të organizohen vetëm për të thënë që jemi duke u angazhuar për një temë të caktuar. Pra, ekspermentimi dhe improvizimi nuk ka vend për tema të rëndësisë së madhe siç është dialogu final në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar Bytyçi.

Në fund, ai tha se PDK ka qenë gjithmonë e gatshme dhe konstruktive në raport me temat e mëdha e me rëndësi të veçantë për Kosovën. Por, sipas tij, “improvizimet e tilla janë thjeshtë për keqardhje edhe meritojnë me plotë të drejtë injorimin tonë”.

Hoti sot ka zhvilluar një takim me siç e ka quajtuar ai ‘forumin e partive politike’, për t’i njoftuar për ecurinë e deritanishme të dialogut me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë takim nuk kishin marrë pjesë LVV dhe PDK.

Pas 20 muajsh të pezullimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesit e të dyja vendeve u takuan në Bruksel të enjten, për të rifilluar procesin e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian. Pas takimit kryeministri Avdullah Hoti deklaroi se njohja reciproke dhe normalizimi i raporteve në mes të dy vendeve janë parimet bazë dhe qëllimi përfundimtar i këtij proces.

Kurse, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas takimit tha se një nga temat e këtij takimi ka qenë ekonomia dhe të zhdukurit e luftës.Ndërsa, i dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, paralajmëroi një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, në fillim të muajit shtator.

Ai tha se për këtë janë pajtuar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë bisedimeve që kanë pasur të enjten në Bruksel. Lajçak, i cili e ka ndërmjetësuar dialogun, konfirmoi se bisedimet janë fokusuar në çështjen e personave të pagjetur dhe të zhvendosur si dhe zhvillimin ekonomik.