Avni Bytyqi PDK - FOTO PDK

PDK mohon akuzat në lidhje me grafitet fyese për Graincën, dënon gjuhën ndaj deputetes

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka mohuar akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj tyre për grafitet në shtëpinë e deputetes së LVV-së, Adelina Grainca.

PDK-ja e ka dënuar këtë veprim ndaj deputetes Grainca, duke fajësuar vetë LVV-në për këtë gjë.

Persona të panjohur kanë shkruar grafite fyese në drejtim të Graincës me fjalët “Bijat i shesim, votën e qesim”.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, në një përgjigje për KALLXO.com ka theksuar se ky sulm është i papranueshëm për ta.

“Partia Demokratike e Kosovës asnjëherë nuk e ka ulur vetën në këtë nivel duke e sulmuar dikënd në shtëpi e në familje për motive politike. Për këtë arsye ky sulm është i pa pranueshëm për ne. Ne ftojmë Policinë e Kosovës që të hetojnë këtë rast duke ju sygjeruar që intervistimet t’i fillojnë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi që siç duket kjo parti vetëm pas disa ore i kanë ‘identifikuar’ autorët!”, thuhet në përgjigjen e tij.

Bytyçi ka shtuar se për një kohë të gjatë PDK- ka qenë vet viktimë e këtij lloji të sulmit.

“Shtëpitë dhe veturat e zyrtarëve tanë janë sulmuar për motive politike. Zyrtarët e PDK-së janë denigruar e fyer dhe nuk janë kursyer as nga sulmet dhe as nga linçimet publike. Kjo është edhe arsyea se pse ne nuk besojm në këtë formë të ‘protestës, kjo qasje është e gabuar”, ka shtuar ai.

Sipas zëdhënësit të PDK-së, dhuna politike, gjuha denigruese dhe seksiste nuk kanë vend në diskursin publik.

“Vet reagimi i LVV-së tregon qartazi se kush qëndron mbrapa këtyre garfitëve.  Pyetjet me rëndësi që duhen shtruar është se pse tani pasi disa jave janë bërë këto grafite? Edhe atë në shtëpinë e gabuar?!”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po e akuzon Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) për disa grafite që janë bërë në muret e shtëpisë së deputetes së LVV-së, Adelina Grainca, në komunën e Ferizajt.

KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës në Ferizaj mirëpo të njëjtit kanë thënë se nuk kanë informacione deri më tani për këtë rast, kurse deputetja Grainca ka qenë e paqasshme përmes telefonit.

E deputetja nga radhët e LVV-së, Tinka Kurti ka deklaruar se  “ajo çka ka bërë PDK në muret e shtëpisë së deputetes Adelina Grainca është krim”.

Deputetja Adelina Grainca nga PDK-ja ka kaluar në LVV, në ditën kur është votuar Vjosa Osmani për presidente. Ajo ka marrë pjesë në votim për zgjedhjen e Osmanit, në Kuvendin e Kosovës.

Grafite fyese në shtëpinë e deputetes Adelina Grainca, LVV akuzon PDK-në