Zbehja e vijave të kuqe të Vetëvendosjes së Albin Kurtit

Lëvizja Vetëvendosje, deri tani ka njoftuar se do të ketë bashkëpunim të sigurt me Vjosa Osmanin, ndërsa nuk i ka përjashtuar as koalicionet me subjektet e tjera opozitare.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca gjatë një debati televiziv mbrëmë në “Debat Plus”, nuk e ka përjashtuar as koalicionin pas zgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës, subjektin të cilin në zgjedhjet e kaluara e kishin përjashtuar.

Konjufca shprehet i bindur se do t’i fitojnë këto zgjedhje dhe të formojnë një shumicë të madhe në Kuvend.

Analisti Arton Demhasaj, tha për Kallxo.com se vendosja e vijave të kuqe me partitë politike është “budallakia” më e madhe që skena jonë politike e ka bërë ndonjëherë.

“Nëse në këto zgjedhje partitë politike nuk vendosin vija të kuqe mendoj se kjo është pozitive dhe nuk duhet ta marrim në aspektin negativ. Por natyrisht për t`u lidhur koalicione pas zgjedhore duhet me pas programe të ngjashme, duhet me pas harmonizim të programeve dhe të parimeve të caktuara politike”, tha Demhasaj.

Demhasaj shtoi se është pozitive ajo që e ka thënë mbrëmë Konjufca.

Demhasaj ka përmendur vijat e kuqe të zgjedhjeve të kaluara, duke thënë se deklaratat që LVV dhe LDK i kishin thënë se do të bëjnë koalicion me njëra tjetrën, pas formimit të qeverisë iu dështuan.

“Në zgjedhjet e fundit VV ka thënë vazhdimisht që kemi me bo koalicion me LDK-në, e LDK me VV, e çka ndodhi më në fund u kriju ai koalicion pas shumë takimeve dhe dështoi shumë shpejtë”, tha Demhasaj.

Edhe analisti tjetër Shkëlzen Maliqi, ka thënë për Kallxo.com se Vetëvendosje janë deklaruar se pas rezultateve do të shohin nëse iu duhen më vonë ndonjë partner i koalicionit nëse nuk e kanë suksesin që e presin.

“Nuk është diçka befasuese, edhe më herët kanë pas paralajmëruar njëfarëdore”, tha ai.

Sipas Maliqit, Lëvizja Vetëvendosje kanë pasur vija të kuqe vetëm me PDK-në, ndërsa sipas tij tashmë është më e lehtë të bashkëpunojnë në mungesë të krerëve të PDK-së.

“Tash e kanë edhe më lehtë, nuk e kanë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin. Janë kriju kushte të reja. Edhe pse ata janë tepër optimist dhe po thonë se ndoshta i fitojnë edhe 60 për qind bashkë me Vjosën”, tha ai.

Sipas Maliqit edhe nëse fitojnë bindshëm duhet të kenë partner.

“Kënd duhet me marr ata e shikojnë vet sepse ka shumë të panjohura ky proces kush ka humb, e kush ka fitu mbetët të shohim”, shtoi Maliqi.

Ndërsa, Glauk Konjufca kur ishte pyetur për ndonjë koalicion të mundshëm me LVV-PDK tha se nuk e favorizojnë PDK-në, por nuk ka thënë që e përjashtojnë mundësinë.

“Koalicionin me PDK nuk e favorizojmë. Përjashtimi ka pasur kuptim vetëm në vitin 2019, tash është vetëm mos favorizimi”, ka thënë Konjufca.

Ndërsa, pas deklaratës së Konjufcës ka reaguar zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, i cili tha se ngadalë mashtrimet po bien. Ndërsa e ka quajtur PDK-në si subjektin më konstant në vend.

“Glauku sapo e tha, Lëvizja Vetëvendosje nuk e përjashton koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës. Ngadalë por sigurt mashtrimet po bien. Edhe pse duhet ta pranojmë, është herët që të flasim për këtë temë. Por, Partia Demokratike e Kosovës është konstantja në vendin tonë”, tha ai.

Bytyçi tha se po hyjnë në garë pa obligime ndaj askujt dhe si argument kanë angazhimin e mirë opozitar që e dëshmuam.

“Është mëkat që Kadri Veseli nuk është prezent për të parë se doli ashtu siç e tha për ‘mashtrimin e madh’, të 6 Tetorit. Një vit i humbur nga dy qeveritë Kurti/Hoti që keqqeverisën vendin”, tha ai.

Bytyçi ka përmendur tri pika nga qeveritë Kurti/Hoti.

“Një ekonomi e shkatërruar -7.2 ‘rritja ekonomike’, një dështim total me pandeminë, një politikë e jashtme të dështuar në raport me perëndimin dhe disfatë e pafalshme para Serbisë duke e cenuar rëndë interesin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Partia Demokratik e Kosovës, sipas Bytyçi është në garë jo vetëm për të rikthyer besimin që kishin, por, për të fituar një betejë ndaj një mashtrimi të madh politik që ka filluar nga viti 2014, e që la Kosovën shumë mbrapa.