FOTO – Në Prizren Digjen Kontejnerët, Pak Ditë Pasi Ishin Vendosur

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Ekoregjioni” në Prizren ka njoftuar sot se janë djegur disa kontejnerë të plastikës të cilët ishin vendosur pak ditë më parë në pika të ndryshme të këtij qyteti.

Kjo kompani tha se kontejnerët janë pronë e KK Prizren dhe ishin vendosur gjatë javës ekologjike.

“Lusim qytetarët të jenë sa më të kujdesshëm në ruajtjen e kontenjerëve, kjo dukuri negative duhet të dënohet me ligj nga institucionet kompetente. Duaje qytetin tënd, është pasuria dhe mundi juaj”, tha kjo kompani në një reagim në Facebook.

Djegien e kontejnerëve e ka dënuar edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

“Pa u bërë as një javë nga vendosja e kontejnerëve të rinj, persona dashakeq ia kanë vënë zjarrin një aseti të ti komunal. Rasti është lajmëruar në polici, ndërsa keqbërësit do të dënohen. Kontejnerët janë pronë publike, pra pronë e jona e përbashkët. Çdokush që dëmton pasurinë e qytetit do të dënohet”, tha Haskuka në një reagim në Facebook.

“Lusim qytetarët për bashkëpunim, në raste të tilla të inçizojnë dhe të lajmërojnë në Qendrën e Thirrjeve (0800 19 200) ose polici. Çdo tentim i shkatërrimit të pronës publike do të konsiderohet sulm i drejtpërdrejtë ndaj Komunës së Prizrenit”, tha Mytaher Haskuka.