Lagjja e Romëve në Mitrovicë

‘Fondi vullnetar’ për të prekurit nga plumbi në gjak në Kosovë mbetet i zbrazët

Një Fond Mirëbesimi i ngritur nga Kombet e Bashkuara për viktimat rome, ashkali dhe egjiptiane të helmimit nga plumbi në kampet e drejtuara nga OKB-ja në Kosovën veriore pas luftës së viteve 1998-1999 nuk ka marrë ende asnjë kontribut nga asnjë vend.

Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, tha për BIRN- se asnjë vend nuk ka kontribuar deri më tani në një fond vullnetar të krijuar në vitin 2017 me qëllim që të ndihmojë viktimat rome, ashkali dhe egjiptiane të helmimit nga plumbi në kampet e OKB-së të ngritur për personat e zhvendosur brenda Kosovës pas luftës.

“Pavarësisht përpjekjeve të mëparshme në terren, përfshirë thirrjet personale nga Sekretari i Përgjithshëm ndaj një numri shtetesh anëtare dhe fondacionesh private, deri më tani nuk janë marrë kontribute në Fondin e Mirëbesimit,” tha UNMIK në një përgjigje me shkrim për BIRN.

UNMIK tha se Sekretariati i OKB-së “po vazhdon me thirrjet për të inkurajuar përgjigje pozitive”.

Sipas Human Rights Watch, rreth 8,000 romë, ashkali dhe egjiptianë u zhvendosën nga qyteti i Mitrovicës veriore të Kosovës pas luftës së viteve 1998-1999 dhe OKB-ja i sistemoi rreth 600 prej tyre në kampet pranë vendeve të ndotura.

Kampet u ngritën pranë kompleksit të minierave dhe shkrirjes së Trepçës, që njihet si shkaku i kontaminimit nga plumbi dhe formave të tjera të toksinave në zonat përreth tij që nga vitet 1970.

Në vitin 2016, Paneli Këshillimor për të Drejtat e Njeriut i OKB-së gjeti se UNMIK-u kishte shkelur të drejtat e viktimave për jetën dhe shëndetin dhe rekomandoi që organizata “të ndërmarrë hapat e duhura për pagesën e kompensimit adekuat”.

Në vend të kësaj, OKB-ja krijoi një Fond Mirëbesimi për të financuar “projektet e komunitetit” për minoritetet rome, ashkali dhe egjiptiane në Kosovën e veriut në 2017.

Në korrik 2018, raportuesi i posaçëm i OKB-së për lëndët toksike i shkroi Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Gutierres, duke i bërë jehonë nevojës për kompensimin e viktimave të helmimit në baza individuale. Në nëntor 2018, Parlamenti Europian gjithashtu miratoi një rezolutë që i bënte thirrje OKB-së “që të sigurojë sa më shpejt mbështetjen e nevojshme për viktimat”.

Pesëdhjetë e pesë anëtarë të Parlamentit Europian i shkruan Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres më 31 janar duke i kërkuar atij që “të ndërmarrë hapa të vonuara për të siguruar që viktimat e helmimit nga plumbi në kampet e KB-së në Kosovë të marrin kompensim individual, kujdes të duhur shëndetësor dhe mbështetje arsimore”.

Deputetët europianë thanë se reagimi i OKB-së ndaj situatës ishte “i papërshtatshëm” dhe e akuzuan Guterresin se “nuk ka ofruar kompensim individual sidomos për ata të prekur nga helmimi nga plumbi”.

“Ne besojmë se është thelbësore që OKB-ja të zbusë ndikimet e helmimit nga plumbi në komunitetet e prekura rome, ashkali dhe egjiptiane në Kosovën e veriut, duke siguruar kompensim të plotë, efektiv dhe transparent, duke përfshirë kompensimin individual për viktimat, në përputhje me standardet e vendosura të të drejtave të njeriut,” thuhej në letrën e deputetëve.