Lëvizja FOL publikon raportin për zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit në gjykata - Foto: KALLXO.com

FOL: Trend Pozitiv në Zgjidhjen e Lëndëve të Korrupsionit në Gjykata

Lëvizja FOL ka konstatuar një trend pozitiv të zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit në gjykata.

Kjo u bë e ditur sot nga kjo OJQ gjatë prezantimit të raportit statistikor “Performanca e Gjykatave në luftën kundër korrupsion për periudhën Janar-Qershor 2017”.

Sipas zyrtarit të Lëvizjes FOL Jeton Zulfaj periudha janar-mars në përgjithësi ka më shumë lëndë të korrupsionit të kryera se periudha prill-qershor.

Periudha janar-mars ka pasur 120% zgjidhje të lëndëve të pranuara në punë ndërkaq sipas tij periudha prill-qershor ka punuar me performancë 114%.
“Në bazë të normës së lëndëve mund ta përcaktojmë edhe trendin e zgjidhjes së lëndëve. Nëse gjykatat punojnë me normën e zgjidhjes prej 120% ato arrijnë që deri në vitin 2047 t’i nivelizojnë lëndët, d.m.th. që të mos bartin lëndë të pazgjidhura”, tha Zulfaj.

Ndërkaq ai shtoi se sa më shumë që barten lëndët shtohet edhe pritja për drejtësi.

Ndërkaq gjatë mbledhjeve të kaluara të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka thënë se duhet më shumë përkushtim nga ana e prokurorëve në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të personave me pozita të larta shtetërore.

Ai përveç kësaj është shprehur edhe i pakënaqur me punën e gjykatave.