Florian Dushi duke u përshëndetur me kolegët në KQZ

Florian Dushi Mbyll Karrierën me KQZ

Anëtari me më së shumti përvojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Florian Dushi, e ka lënë sot detyrën e tij në këtë institucion për t’u zhvendosur në një post qeveritar.

Javën e kaluar, Dushi është emëruar Zëvendës Ministër i Drejtësisë nga ana e kryeministrit Isa Mustafa duke i dhënë fund karrierës nëntëvjeçare në këtë komision

Ai u përshëndet sot me kolegët e tij në KQZ në mbledhjen e radhës së këtij komisioni të drejtuar nga kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka.

Në këtë mbledhje, Dushi i cili ka përfaqësuar LDK-në në këtë institucion, ka falënderuar anëtarët dhe stafin e KQZ-së për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve në angazhimin e përbashkët për avancimin e KQZ-së.

“Së bashku ia kemi dalë që Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ta shëndërrojmë në një ndër institucionet më kredibile në Republikën e Kosovës, që organizon zgjedhje të rregullta dhe demokratike, i vlerësuar kështu edhe në raportet ndërkombëtare”, tha Dushi.

Ndërsa, Daka dhe anëtarët tjerë të KQZ-së uruan z. Dushi për postin e ri si dhe i ndanë mirënjohje për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve në KQZ.