Flora Brovina publikon foto të dhunimeve gjatë luftës në Kosovë

LAJM I PËRDITËSUAR

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e PDK-së Flora Brovina do të dëshmojë për krimet e luftës në Kosovë duke thënë se ka fakte.

“Kemi fakte të gjenocidit në Kosovë, helmimin masovik do të thotë të fillosh luftën me fëmijë. Akt gjendocidal është edhe pushimi i atyre nga puna”, tha Brovina.

Ajo shtoi se ka dëshmuar një ndër faktet e dhunës seksuale ndaj grave, duke e mbajtur një fotografi se si tre serbë dhunuan një grua.

“Sikur neve na është mbyllur goja dhe mundësia për të fol këto gjëra. Në qytete të mëdha kanë ekzistuar punkte të veçanta për dhunime. Një dëshmi është kasetë që i është gjetur një ushtari serb, me akte të dhunimit në Vushtrri, incizim që është bërë me rrobat e përgjakura të grave dhe ky incizim iu është dorëzuar prokurores së Tribunalit të Hagës. Ka mjaft të tjera dëshmi, kam histori të këtyre grave që jo të gjitha janë si heroina që dëshmojë në OKB. Por, para gjykatës dhe dëshmitë që këtu është bërë një gjenocid”, u shpreh tutje deputetja Brovina.

Brovina tha se asnjëherë prokuroria speciale qoftë edhe EULEX-i nuk kanë marrë masa ndaj askujt.

“As mua nuk me kanë marrë. Patëm në fund forcën politike që të ngrisim akuzën për gjenocid, dhe ngritjen e një tribunali që nuk vjetërohet dhe ta dëshmojmë që këtu ka ndodh krimi i paparë”, u shpreh ajo.

Kuvendi i Kosovës sot ka nisur seancë plenare ku do të votohet rezoluta për gjenocidin serb në Kosovë.

E plotësuar më 17.05.2019, ora 12:35

Mirëpo pas këtij lajmi, pati reagime të shumta.

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), reagoi ndaj publikimit të fotografisë për dhunën seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga ana e deputetes së PDK-së, Flora Brovina.

“Pas publikimit në media dhe rrjetet sociale të fotografisë, e cila paraqet kryerjen e dhunimeve gjatë luftës në Kosovë, QKRMT ka pranuar shumë telefonata dhe reagime nga të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë si dhe nga familjarët e tyre. Të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë janë tepër të shqetësuar dhe të indinjuar pas publikimit të këtyre pamjeve”, thuhet në reagimin e kësaj qendre.

Sipas QKRMT-së, publikimi i këtyre pamjeve në mënyrë të plotë – pa cenzurë, i ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të luftës për shumë gra, burra e fëmijë që kanë përjetuar këtë tmerr, “duke ritraumatizuar dhe duke i thelluar edhe me tej plagët dhe dhimbjet shpirtërore të tyre të përjetuara gjatë luftës”.

https://kallxo.com/qkrmt-reagon-ndaj-publikimit-te-fotografise-per-dhunen-seksuale/

Pak orë  pasi deputetja e PDK-së, Flora Brovina shfaqi një fotografi ku shihej dhunimi i një gruaje kosovare nga forcat serbe, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se do të nisë hetimin për zbardhjen e këtij rasti.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton opinionin se me të marrë lajmin që deputetja e PDK-së, Flora Brovina, ka paraqitur një fotografi që sipas saj dëshmon dhunimin e një gruaje 35 vjeçare nga ushtarët serbë gjatë luftës në Kosovë, do ta hap hetimin, ndërsa do të ftohet deputetja Brovina për dhënien e informacionit lidhur me viktimën për të cilën ajo pohon se është e gjallë, si dhe, dorëzimin e fotos dhe dëshmive që ajo pohon se i ka lidhur me këtë rast dhe raste të tjera”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Në njoftim bëhet e ditur se Prokuroria Speciale nuk ka pasur informacion paraprak për këtë rast.

https://kallxo.com/prokuroria-speciale-nis-hetimet-per-fotografine-e-publikuar-nga-flora-brovina/

Ish- Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka reaguar ashpër ndaj deputetes së PDK-së, Flora Brovina, pasi kjo e fundit sot para mediave publikoi një foto të një gruaje të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë.

“Një goditje e rëndë u është bërë sot mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë me publikimin e pamjeve që tregojnë dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës!”, ka shkruar Jahjaga në “Facebook”.

Publikimin e fotografisë nga deputetja Brovina, ish- Presidentja e ka quajtur të gërditshëm, neveritës e të turpshëm.

https://kallxo.com/jahjaga-i-reagon-flora-brovines-e-turpshme-jonjerezore-dhe-joligjore-publikimi-i-fotografise/

Reagime pati edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovë pas publikimit të fotografisë që pretebndohej se dëshmonte dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar që mediat ta largojnë fotografinë si dhe deputetëve që të kërkojnë llogari nga gjykatat vendore dhe ndërkombëtare për këtë dëshmi të pretenduar.

Në reagimin e tyre thuhet se deputetja Flora Brovina me këtë veprim ka shkelur parimin e dinjitetit të të mbijetuarave, përmes së cilës është zbuluar edhe trupi i të mbijetuarës së dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

”Zonja Brovina ka shkelur Nenin 23 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili përcakton se dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kjo fotografi ku gruaja dhunohet para familjarëve të saj, përveç që është shumë e rëndë dhe shqetësuese, mund të ndikojë edhe në përkeqësim të gjendjes emocionale dhe psiqike të të mbijetuarës”, thuhej në reagim.

https://kallxo.com/rrjeti-i-grave-deputetja-brovina-nuk-ka-kontribuar-ne-arritjen-e-drejtesise-permes-veprimit-te-saj/

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, në seancën ku po diskutohej për themelimin e komisionit shtetëror për Tribunalin Ndërkombëtar reagoi pas publikimit të fotografisë që pretendohej se dëshmon dhunimin e një gruaje nga forcat ushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina.

Ajo kërkoi që një gjë e tillë të mos ndodhë më, pasi sipas saj çdo viktimë duhet të trajtohet me dinjitet.

“Ju kisha lutur të keni kujdes mënyrën që mos me lënë ajo çka ndodhi ma herët me fotografi, është tepër me rëndësi që çdo viktimë dhe çdo familjar të trajtohet me dinjitet. Nuk guxojmë me leju gjëra të tilla më”, tha ajo.

https://kallxo.com/bogujevci-i-reagon-brovines-cdo-viktime-duhet-te-trajtohet-me-dinjitet/

 

Zhvillimet lidhur me këtë rast ishin të njëpasnjëshme. KALLXO.com raportoi gjatë ditës së djeshme se në një kërkim në Google, e njëjta fotografi e publikuar nga deputetja Brovina paraqitej online, madje me një faqe me përmbajtje pornografike

 

https://kallxo.com/fotografia-qe-e-publikoi-flora-brovina-gjendet-e-publikuar-ne-faqe-te-huaja-online/

Mirëpo, përkundër fakteve që publikuan mediat, deputetja Flora Brvoina edhe më tutje vazhdoi të këmbëngulte se fotoja është ashtu siç pretendonte ajo. Fotografia e indeksuar nga Google, rezultoi të jetë ngarkuar në disa faqe online që e asocojnë fotografinë me luftën në Irak.

Megjithatë ajo tha se fotografinë e ka qe shumë herët dhe e ka marrë drejtpërdrejt nga familjarët.

“Fotografia është e vërtetë, e kam marr nga familja. Nuk kam imazhe të tjera nga skena e njëjtë. Foton e kam pranu me kontakt. Sot nuk kam fol me familjen por herave të tjera. Nuk është hera e parë që e tregoj fotografinë. Krimet e luftës i dëshmoj në çdo moment jam në dispoziocion”, tha ajo në një lidhje të drejtpërdrejt në RTV Dukagjini.

Ajo tha se nuk mund të mohohet se ushtarët serb mund të kenë inçizuar edhe filma nga dhunimet për qëllime pornografike.

https://kallxo.com/flora-brovina-insiston-se-fotografia-e-dhunimit-eshte-autentike/

Ndaj veprimit të deputetes së PDK-së reagoi edhe Vasfije Krasniqi Goodman. Ajo ka reaguar pas publikimit të fotos së një gruaje duke u dhunuar, e cila nga deputetja e PDK-së, Flora Brovina pretendohej së është bërë nga forcat serbe.

Ajo përmes një postimi në profilin e saj në Facebook ka kërkoi që të kenë kujdes me foto të tilla sepse sipas saj po provokohen ndjenjat.

“Pas krejt kësaj katrahure në lidhje me foton e publikuar sot, pavarësisht se ku ndodhë apo prej kujt ka ndodhur dhuna seksuale është e dënueshme, por si nja e mbijetuar unë në emër ” të gjithave” ju lutem që të kini kujdes dhe mos të provokohen ndjenjat tona. Sepse më së paku ne na duhet të shohim gjëra të tilla, sepse kjo është njëra nga padrejtësitë që na bëhet neve”, tha Krasniqi Goodman duke shtuar se duan drejtësi.

https://kallxo.com/vasfije-krasniqi-per-foton-e-publikuar-mos-luani-me-ndjenjat-tona/

Reagime pati edhe nga ana e organeve te ndjekjes. Prokurorja Speciale, Drita Hajdari tha për KALLXO.com se do të bëhet krahasimi i fotografisë së prezantuar me ato online.

https://kallxo.com/prokuroria-do-te-beje-ekspertize-ne-foton-e-publikuar-nga-flora-brovina/

Dhe vetë një ditë pasi Brovina publikoi foton, Prokuroria Speciale njoftoi se ka dhënëurdhër që të intervistohet deputetja.

https://kallxo.com/fillon-intervistimi-i-flora-brovines/

Lajmi është edituar, pasi që nga publikimi i tij pati shumë reagime dhe zhvillime të cilat ngritën dyshime lidhur me autenticitetin e fotografisë. KALLXO.com do vazhdojë të monitorojë dhe raportojë lidhur me këtë lajm.